Një 44-vjeçar shqiptar, i dënuar me dy burgime të përjetshme për vrasjen e dyfishtë që tronditi zonën e Loutrakit në Greqi në vitin 2020, është arrestuar nga policia greke në Patision të Athinës, pas gjashtë vitesh në arrati.
Bëhet fjalë për Nikolin Palin, i akuzuar për vrasjen me sëpatë të ish-partneres së tij, 43-vjeçares me origjinë ukrainase, Svetlana, e njohur në Greqi si Fotini, dhe partnerit të saj, farmacistit 42-vjeçar Ioannis Zonitsas.
Sipas mediave greke, shqiptari përdorte dokumente identifikimi të falsifikuara dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu nëse ai ka lidhje me vrasje të tjera të kryera gjatë viteve që ka qëndruar i fshehur. Burime policore e përshkruajnë si të dyshuar për vrasje me pagesë.
Arrestimi u krye gjatë një operacioni të koordinuar në apartamentin ku ai fshihej. Gjatë kontrollit, policia gjeti një pistoletë dhe dy granata. Sipas hetuesve, 44-vjeçari jetonte aty me një grua tjetër dhe largohej vetëm për të kryer detyra që dyshohet se i merrte kundrejt pagesës.
Krimi i dyfishtë që tronditi Loutrakin
Ngjarja ndodhi më 11 tetor 2020, kur dy viktimat u gjetën të vrara në një banesë pushimi në zonën e Flambouros, në Korinth. Të dy ishin goditur disa herë me sëpatë.
Hetimet u përqendruan që në fillim te ish-partneri i 43-vjeçares, i cili dyshohej se nuk kishte pranuar ndarjen. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga policia, ai kishte hyrë në banesë duke përdorur çelësa rezervë që dyshohet se i kishte ruajtur nga koha e lidhjes me gruan.
Pasi i gjeti çiftin në dhomën e gjumit, ai dyshohet se sulmoi fillimisht ish-partneren dhe më pas farmacistin. Gruaja mori disa goditje në kokë dhe një plagë fatale në arterien karotide, ndërsa 42-vjeçari u godit në kokë dhe në zemër.
Pas krimit, autori i dyshuar mori telefonat e viktimave dhe u largua. Ai dyshohet se vodhi edhe automjetin Toyota hibride të ish-partneres, të cilin e çoi në një zonë të izoluar dhe më pas i vuri flakën për të zhdukur gjurmët.
Gjashtë vite në arrati
Svetlana kishte ardhur në Greqi nga Odesa e Ukrainës në fund të viteve 1990. Pas një martese me një biznesmen në Mykonos dhe lindjes së një vajze, ajo ishte kthyer në Loutraki, ku kishte nisur një lidhje me 44-vjeçarin.
Sipas hetimeve të kohës, marrëdhënia ishte karakterizuar nga xhelozia dhe sjelljet posesive të shqiptarit, i cili dyshohet se e kishte kërcënuar gruan pasi ajo vendosi t’i jepte fund lidhjes.
Pas vrasjes, Pali u zhduk dhe për vite me radhë u kërkua nga autoritetet greke në Athinë, Mykonos dhe Shqipëri. Ai kishte pasur edhe një precedent penal: ishte arrestuar në vitin 2014 për grabitje dhe ishte liruar në vitin 2017.
Tashmë, pas arrestimit në Athinë, hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse gjatë gjashtë viteve të arratisë ai ka qenë i përfshirë në vrasje të tjera apo në aktivitete kriminale të porositura.