Një sasi prej rreth 1.6 milionë litrash naftë (1,326,546 kg) e importuar nga kompania “Salillari” me deklarimin për ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, ka ndezur një përplasje të ashpër brenda administratës doganore shqiptare. Në qendër të përplasjes janë akuza të rënda për kontrabandë, ryshfet dhe ndërhyrje nga drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të favorizuar kompaninë ndërtuese.
Nga kontrollet e kryera, Dogana e Durrësit ka përllogaritur një faturë totale prej rreth 5.1 milionë eurosh (468,030,984 lekë), nga të cilat 156 milionë lekë janë detyrime fiskale (akcizë, taksë qarkullimi, taksë karboni dhe TVSH) dhe 312 milionë lekë gjobë. Megjithatë, kjo shumë nuk rezulton të jetë arkëtuar kurrë në arkën e shtetit.
Skema e “sirtareve” dhe ndërhyrjet nga lart
Procedura është bërë objekt debati të fortë brenda institucionit gjatë shkurtit 2026. Burime brenda administratës denoncojnë se nafta fillimisht është lejuar të futet në vend pa u kërkuar pagesa e detyrimeve, ndërsa procedurat e përllogaritjes u ndërmorën nga dogana vetëm pasi çështja doli në media, thjesht për të pasur “letrat në rregull”.
Doganierë akuzojnë drejtuesit e lartë për zbatimin e një skeme të ngjashme me atë të zbatuar më parë ndaj “Bankers Petroleum”, ku faturat e gjobave mbahen në sirtarë dhe përdoren ose fshihen sipas interesave. Gjatë trajtimit të dosjes raportohet se ka pasur ndërhyrje direkte nga nivele të larta drejtuese mbi mënyrën se si do të procedohej me detyrimet e kompanisë.
Hije dyshimi mbi punimet e NATO-s
Përveç mospagesës së detyrimeve, çështja merr përmasa edhe më serioze për shkak të pretendimit se karburanti do të përdorej për bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Autoritetet përballen me detyrimin për të sqaruar nëse e gjithë sasia prej 1.6 milionë litrash naftë është përdorur realisht në atë projekt apo është tjetërsuar në tregun vendas.
Ndërkohë që dokumentet e përllogaritjes së detyrimeve janë siguruar, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave duhet të japë përgjigje publike: Përse nuk është arkëtuar fatura prej 5.1 milionë eurosh, kush ka ndërhyrë nga strukturat drejtuese dhe a po tentohet anulimi apo falja e këtyre detyrimeve për kompaninë “Salillari”?