Drama e 21-vjeçares që jeton në mjerim: Pa baba, me nënën e sëmurë dhe me 50 mijë lekë të vjetra në muaj

Drama e 21-vjeçares që jeton në mjerim:…

Në Vithkuq të Korçës, larg dritave të qytetit dhe vëmendjes së përditshme, jeton një familje që ka nevojë për ndihmën tonë. Kjo është shtëpia e Odetës, vetëm 21-vjeçe, e cila pas humbjes së babait i është përkushtuar kujdesit për nënën e saj të sëmurë.

Të dyja jetojnë në kushte tejet të vështira, në një banesë ku mungojnë kushtet minimale të sigurisë dhe ngrohjes. E ndërsa temperaturat kanë nisur të bien, mendimi se si do ta përballojnë dimrin në një shtëpi të tillë bëhet edhe më shqetësues. Në Korçë, ku muajt e ftohtë sjellin shpesh temperatura nën zero, mungesa e ngrohjes nuk është thjesht një vështirësi, por një problem serioz për jetesën e tyre.

E vetmja e ardhur që kanë në dispozicion është ndihma ekonomike prej vetëm 50 mijë lekësh të vjetra në muaj, me të cilën duhet të përballojnë nevojat e përditshme dhe kujdesin për nënën.

Rasti është bërë publik nga gazetari Xhensil Shkëmbi, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë mundësi të kontribuojnë për t’ua lehtësuar sadopak jetën, si dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë për të ofruar mbështetjen e nevojshme sociale dhe për të përmirësuar kushtet e banimit.

Familja ndodhet në lagjen Grekas të Vithkuqit dhe mund të gjendet lehtësisht. Ato nuk kanë telefon, ndaj personat që dëshirojnë të ndihmojnë mund të kontaktojnë administratorin e zonës, Altinin, i cili i njeh nga afër dhe, sipas gazetarit, u qëndron pranë vazhdimisht.

Ndoshta për shumëkënd një ndihmë mund të duket e vogël, por për Odetën dhe nënën e saj mund të bëjë ndryshimin mes një dimri të papërballueshëm dhe një dimri pak më të ngrohtë e më të sigurt.

Në këtë fundvit, le të mos i harrojmë familjet që kanë nevojë për ne. Një dorë e zgjatur sot mund të jetë shpresa që kjo nënë dhe vajza e saj të mos e përballojnë të vetme të ftohtin dhe vështirësitë e jetës.

Për këdo që dëshiron të ndihmojë familjen, mund të kontaktojë Altinin, administratorin e Vithkuqit, i cili mund t’i orientojë për mënyrën se si mund të ofrojnë ndihmën e tyre: +355 69 623 6806.

<iframe width=”337″ height=”599″ src=”https://www.youtube.com/embed/9Hh1IyyEqVM” title=”Drama e 21-vjeçares që jeton në mjerim: Pa baba, me nënën e sëmurë dhe me 50 mijë lekë të vjetra…” frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; clipboard-write; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture; web-share” referrerpolicy=”strict-origin-when-cross-origin” allowfullscreen></iframe>

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit