Trafiku në zonën e Astirit është kthyer në një makth për drejtuesit e automjeteve, ku radhët e gjata dhe bllokimi i qarkullimit janë kthyer në një situatë të përsëritur.
Por, përveç trafikut të rënduar, shqetësim për qytetarët mbetet edhe mënyra e veprimit të Policisë Rrugore. Sipas denoncimit të tyre, efektivë të policisë pozicionohen pas skutave për të ndaluar dhe gjobitur drejtuesit e mjeteve, ndërkohë që qarkullimi vijon të jetë i paralizuar.
Qytetarët ngrenë pikëpyetje mbi rolin e efektivëve në këtë situatë, duke theksuar se prania e policisë duhet të shërbejë për disiplinimin dhe lehtësimin e trafikut, e jo thjesht për ndëshkimin e shoferëve.
Në një zonë ku lëvizja është kthyer në një sfidë të përditshme, kërkohet ndërhyrje konkrete për menaxhimin e trafikut dhe jo vetëm kontrolle për vendosjen e gjobave.