Pas vlorës, alarm për ujin edhe në Lushnje! Nga çezmat rrjedh ujë i zi

Pas vlorës, alarm për ujin edhe në…

Pas rasteve të helmimit masiv të banorëve në Vlorë, një tjetër shqetësim lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm vjen nga qyteti i Lushnjës. Banorët po përballen me një situatë alarmante, pasi uji që rrjedh në çezmat e tyre ka marrë një ngjyrë të errët, thuajse të zezë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi cilësinë dhe sigurinë e tij.

Një qytetar ka dërguar në redaksinë tonë pamje nga rubineti i banesës, ku shihet qartë ngjyra e pazakontë e ujit.

“Përshëndetje! Në Lushnjë uji vjen në këtë ngjyrë, sterrë i zi. Sa herë bie shi ndodh kjo. Per te pire se kemi perdorur ndonje here por as nuk po lahemi dot”, shprehet qytetari.

Kjo situatë ka bërë që familjet të shmangin përdorimin e tij, si për konsum, ashtu edhe për nevoja të përditshme higjieno-sanitare, deri në një sqarim zyrtar mbi sigurinë e furnizimit.

Shqetësues është fakti se, sipas banorëve, ky fenomen nuk ndodh për herë të parë. Uji me ngjyrë të pazakontë është shfaqur edhe në raste të tjera, por qytetarët pretendojnë se ende nuk kanë marrë një shpjegim të qartë nga autoritetet lokale apo ndërmarrja e ujësjellësit për shkaqet e këtij fenomeni dhe masat e marra për zgjidhjen e tij.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Lushnjë, e drejtuar nga kryetarja Eriselda Sefa, si dhe nga ndërmarrja e ujësjellësit, për të verifikuar situatën, për të kryer analizat përkatëse dhe për të garantuar furnizimin me ujë të pastër e të sigurt.

Deri në një reagim zyrtar, mbetet e paqartë se çfarë e ka shkaktuar ndryshimin e ngjyrës së ujit dhe nëse ai paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve. Ndërkohë, familjet po detyrohen të sigurojnë ujë të ambalazhuar për nevojat bazë, duke përballuar edhe kosto të tjera ekonomike.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit