120 mijë € të vjedhura në dy banka, Robert Duka: Lekët i lashë në kazino, u dhashë shokëve borxhet

120 mijë € të vjedhura në dy…

Hetimet për dy grabitjet e ndodhura në filialet e OTP Bank dhe Raiffeisen Bank në Tiranë kanë zbardhur të tjera detaje mbi lëvizjet e autorit të dyshuar, Robert Duka, pas ngjarjeve kriminale. Përmes përgjimeve telefonike, analizimit të kamerave të sigurisë dhe gjurmimit të automjetit të marrë me qira, Policia Kriminale e Tiranës arriti të identifikojë dhe arrestojë mbrëmjen e djeshme personin që dyshohet se qëndron pas dy episodeve.

Nga hetimet rezulton se pjesa më e madhe e shumës së grabitur, që llogaritet në afro 120 mijë euro, mund të jetë shpenzuar në kazino të ndryshme të kryeqytetit. Këtë version ka dhënë vetë Duka gjatë komunikimeve me punonjësit e policisë dhe prokurorin e çështjes, megjithëse deklarimet nuk janë formalizuar në një procesverbal.

Ndërkohë, një pjesë e parave është gjurmuar deri në Vlorë. Sipas informacioneve  Duka u ka dorëzuar dy personave, me të cilët kishte njohje, nga 3 mijë euro secilit. Shuma totale prej 6 mijë eurosh është sekuestruar nga policia gjatë kontrolleve të ushtruara në qytetin bregdetar.

Dy personat janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga hetuesit. Në dëshmitë e tyre ata kanë pretenduar se paratë ua kishte dhënë Robert Duka për shlyerjen e një borxhi të mëparshëm. Sipas tyre, bëhej fjalë për një detyrim financiar që ai kishte ndaj secilit prej tyre.

Kontrollet e kryera në banesën e të dyshuarit kanë sjellë gjetjen dhe sekuestrimin e vetëm 2 200 eurove të tjera. Gjatë komunikimeve me grupin hetimor, Duka ka pretenduar se pjesën tjetër të parave të përfituara nga grabitjet e datave 2 qershor dhe 2 nëntor 2026 e kishte shpenzuar duke luajtur në kazino.

Për të verifikuar këtë pretendim, policia dhe prokuroria u janë drejtuar katër kazinove të njohura në Tiranë, duke kërkuar informacion nëse Robert, i njohur edhe me emrin Albert Duka, ka qenë klient i tyre. Institucioneve u është kërkuar gjithashtu të vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës dhe pamjet filmike, në mënyrë që të verifikohet nëse ai ka frekuentuar ambientet e tyre dhe nëse ka kryer transaksione apo lojëra me shuma të konsiderueshme.

Megjithatë, pretendimi për shpenzimin e parave në kazino mbetet ende për t’u verifikuar nga hetuesit. Duka nuk ka dhënë një deklarim zyrtar për këtë çështje në procesverbal, pasi avokati i tij i zgjedhur nuk e ka lejuar të japë dëshmi në këto kushte.

Pjesë e hetimeve ka qenë edhe bashkëshortja e tij, e cila punon në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Ajo është pyetur nga policia lidhur me burimin e shumës prej afro 120 mijë eurosh, për të cilën ka deklaruar se bëhej fjalë për të ardhura të siguruara nga shitja e një apartamenti në zonën pranë stadiumit “Air Albania”.

Gruaja ka mohuar të ketë pasur dijeni për përfshirjen e bashkëshortit në grabitjet e bankave. Pas marrjes së deklarimeve, ajo është lënë e lirë, ndërsa Robert Duka është arrestuar dhe akuzohet për veprën penale “Grabitje me armë të bankave”, e cila parashikon dënimin nga 10 deri në 20 vite burgim.

I dyshuari pritet të dalë ditën e nesërme përpara Gjykatës së Tiranës, ku do të njihet me masën e sigurisë “Arrest në burg”. Paralelisht, hetuesit po punojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë ndihmuar në realizimin e grabitjeve.

Dyshimet për bashkëpunim janë përqendruar veçanërisht te episodi i parë, ai i 2 qershorit në OTP Bank. Sipas hetimeve paraprake, një person tjetër mund ta ketë ndihmuar Dukën të largohej nga vendngjarja me automjet.

E njëjta skemë në të dyja grabitjet

Një nga elementet që ka ndihmuar hetuesit në lidhjen e dy ngjarjeve është mënyra pothuajse identike e veprimit. Të dyja grabitjet kanë ndodhur në datën 2 të muajit, ndërsa autori i dyshuar ka përdorur të njëjtën mënyrë maskimi, kërcënimi dhe largimi.

Më 2 qershor 2026, një person i maskuar, që sipas hetimeve dyshohet se ishte Albert Duka, ka hyrë me shpejtësi në ambientet e OTP Bank. Nën kërcënimin e një arme, ai ka marrë një shumë parash nga banka dhe është larguar nga zona me një monopatinë elektrike.

Pesë muaj më vonë, më 2 nëntor 2026, një tjetër grabitje me karakteristika të ngjashme është regjistruar në Raiffeisen Bank. Edhe në këtë rast, personi i maskuar ka hyrë në ambientet e brendshme të filialit dhe, duke kërcënuar punonjësit me një armë që në pamje ngjante me pistoletë, ka arritur të marrë para nga arka.

Pas grabitjes, ai ka ndjekur të njëjtën strategji largimi, duke përdorur një monopatinë elektrike për t’u shkëputur fillimisht nga zona. Më pas, në një distancë të caktuar, monopatina është futur në një automjet të marrë me qira, me të cilin është larguar nga vendi.

Pikërisht kjo mënyrë e përsëritur veprimi, së bashku me pamjet filmike dhe të dhënat e siguruara nga përgjimet, ka ndihmuar grupin hetimor të ndërtojë dyshimet për autorësinë e të njëjtit person në të dyja ngjarjet.

Ndërkohë, të dhënat mbi të kaluarën e Robert Dukës tregojnë se ai ka qëndruar më herët në Greqi, ku dyshohet se ka kryer 26 grabitje me armë ndaj bankave. Ky element pritet të jetë gjithashtu pjesë e verifikimeve të mëtejshme nga autoritetet shqiptare.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit