“E reja tentoi t’i jepte fund jetës, ambulanca vonoi dhe nuk erdhi sepse nuk hynte dot në rrugica”

“E reja tentoi t’i jepte fund jetës,…

Një rast shqetësues është denoncuar pranë redaksisë sonë, ku një vajzë rreth 25-vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës, pasi prej kohësh dyshohet se vuante nga një gjendje e rënduar psikologjike.

Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në zonën e Don Boskos, pranë shkollës “Qazim Turdiu”, në Tiranë. Sipas denoncuesit, vajza kishte konsumuar medikamente me qëllim që t’i jepte fund jetës. Në momentin e ngjarjes ajo ndodhej vetëm me nënën e saj, e cila, e alarmuar nga gjendja e së bijës, ka kërkuar menjëherë ndihmën e urgjencës.

Por ajo që e bën edhe më shqetësues këtë rast është mënyra se si është trajtuar thirrja për ndihmë.

Sipas dëshmisë së mbërritur në redaksinë tonë, ambulanca ka mbërritur pas rreth 20-30 minutash, ndonëse vendndodhja ndodhej vetëm pak minuta larg urgjencës në Laprakë.

Por problemet nuk kanë përfunduar me mbërritjen e ambulancës. Personeli ka komunikuar se mjeti nuk mund të futej në rrugicën ku banonte vajza, për shkak të ngushtësisë së saj. Si pasojë, familjarët janë detyruar ta transportojnë vetë vajzën drejt spitalit, pa marrë ndihmën mjekësore në vendngjarje nga personeli i urgjencës.

Fatmirësisht, vajza ndodhet aktualisht në gjendje të mirë shëndetësore, megjithëse ngjarja ka qenë një përjetim tejet i rëndë për të dhe familjarët e saj.

Denoncuesi ngre disa pikëpyetje që kërkojnë përgjigje nga institucionet përgjegjëse:

Përse ambulanca u vonua rreth 20-30 minuta për një distancë që, sipas denoncimit, përshkohet për vetëm pak minuta? Përse nuk u gjet një zgjidhje alternative për t’i ardhur në ndihmë pacientes, nëse ambulanca nuk mund të futej në rrugicë? A mund të dërgohej personeli mjekësor në këmbë apo të përdorej një mjet tjetër për transportimin e saj?

Një rast i tillë ngre shqetësime serioze mbi reagimin e shërbimit të urgjencës në situata ku çdo minutë mund të jetë vendimtare. Ngushtësia e një rruge nuk duhet të bëhet pengesë për ofrimin e ndihmës mjekësore.

Sot vajza është jashtë rrezikut, por mbetet një pyetje që kërkon përgjigje: Çfarë do të kishte ndodhur nëse familjarët nuk do të kishin mundur ta transportonin vetë në spital?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit