Një qytetar ka ngritur shqetësimin për problematikat dhe vonesat e vazhdueshme në trajtimin e çështjeve të pronës pranë institucioneve të ALUIZNI-t, duke denoncuar mungesën e zgjidhjes konkrete, pavarësisht kërkesave të përsëritura prej pesë vitesh.
Në një mesazh të dërguar pranë redaksisë, qytetari shprehet se, edhe pas pesë vitesh përpjekjesh për të zgjidhur problemin e tij të pronësisë, përgjigjja që merr nga punonjësit e institucionit mbetet e njëjtë: “Bëni kërkesën edhe një herë”.
Sipas tij, punonjësit nuk japin një shpjegim konkret për vonesat apo për arsyet pse çështja nuk ka marrë ende zgjidhje, por e drejtojnë vazhdimisht drejt plotësimit të një kërkese të re, madje edhe përmes postës.
Qytetari thotë se kjo situatë nuk prek vetëm atë, por edhe shumë qytetarë të tjerë që paraqiten çdo ditë pranë këtij institucioni për të zgjidhur problematikat e tyre të pronësisë.
Ai thekson se, nga mëngjesi deri në orën 16:00, sipas vlerësimit të tij, të paktën 200 qytetarë kalojnë në sportele dhe marrin të njëjtën përgjigje.
Në denoncimin e tij, qytetari e cilëson këtë mënyrë funksionimi si një zvarritje të mëtejshme të proceseve, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e institucionit, i cili ka për detyrë të trajtojë dhe të zgjidhë problematikat e pronësisë.
Qytetari bën me dije se denoncimi lidhet me zyrën në zonën e Tiranës Jug, ndërsa përmend edhe një zyrë tjetër të institucionit në rrugën “Jordan Misja”, në Tiranë.
Ai kërkon që shqetësimi të bëhet publik, me shpresën se institucionet përgjegjëse do të reagojnë dhe do të marrin masa për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të qytetarëve që prej vitesh presin përfundimin e procedurave të pronësisë.