Aksident tragjik në Bullgari: Përplasen mbi 50 automjete në autostradë, 11 viktima dhe 50 të plagosur

Aksident tragjik në Bullgari: Përplasen mbi 50…

Një aksident tragjik ka tronditur mëngjesin e kësaj të marte juglindjen e Bullgarisë, ku rreth 50 automjete, mes tyre kamionë dhe autobusë, janë përfshirë në një përplasje masive në autostradën Trakia.

Bilanci paraprak është tragjik: të paktën 11 persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 50 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Të lënduarit janë transportuar drejt spitaleve rajonale për të marrë ndihmën mjekësore.

Dyshohet se shkak i aksidentit është bërë mjegulla e dendur, e cila ka reduktuar ndjeshëm shikueshmërinë dhe ka krijuar kushte të rrezikshme për qarkullimin e automjeteve.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e rënda të përplasjes, me automjete të shkatërruara, disa prej të cilave janë përmbysur apo kanë përfunduar jashtë rrugës. Përplasjet kanë ndodhur në të dyja anët e autostradës, duke shkaktuar një kaos të madh në qarkullim.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilat po vijojnë operacionet e shpëtimit. Raportohet se disa persona kanë mbetur të bllokuar brenda automjeteve të dëmtuara.

Autoritetet pritet të nisin hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj tragjedie, pas përfundimit të operacioneve të shpëtimit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit