Kabllot e zhveshura në Shkodër si bombë me sahat, e keni parë kund Karakaçin?

Kabllot e zhveshura në Shkodër si bombë…

Një situatë tejet alarmante denoncohet nga rreth 100 familje në Shkodër, të cilat furnizohen me energji elektrike përmes një rrjeti të amortizuar dhe jashtë çdo standardi sigurie. Në videon e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, infrastruktura elektrike paraqitet në gjendje skandaloze, duke përbërë një rrezik serioz për jetën e banorëve.

Kabllot dhe lidhjet elektrike shihen të zhveshura dhe të shpërndara në mënyrë të rrezikshme, duke krijuar frikë të vazhdueshme, veçanërisht për sigurinë e fëmijëve. Siç shprehet edhe denoncuesi, prekja e këtyre kabllove mund të ketë pasoja fatale.

Por përveç rrezikut me të cilin përballen çdo ditë, banorët pretendojnë se kanë hasur edhe mungesë përgjegjësie nga strukturat përgjegjëse. Sipas tyre, elektricisti i zonës u ka kërkuar që riparimet e rrjetit t’i paguajnë nga xhepi i tyre, pavarësisht se bëhet fjalë për një infrastrukturë nga e cila furnizohen rreth 100 familje.

Kjo situatë ka shkaktuar indinjatë te banorët, të cilët thonë se i paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike, në vlera që shkojnë nga 30 deri në 40 euro në muaj.

Përmes këtij denoncimi, ata kërkojnë ndërhyrjen urgjente të OSHEE-së dhe institucioneve përgjegjëse, përpara se kabllot e zhveshura të kthehen në shkak të një tragjedie.

Është e papranueshme që rreth 100 familje të paguajnë rregullisht për energjinë elektrike, ndërsa të përballen me një rrjet që rrezikon jetën e tyre dhe, sipas pretendimeve të tyre, t’u kërkohet të financojnë vetë riparimin e tij.

Autoritetet nuk duhet të presin që të ndodhë një fatkeqësi për të ndërhyrë. Sepse pas një tragjedie, asnjë deklaratë dhe asnjë justifikim nuk do t’ua kthejë jetën atyre që mund të bëhen viktima të kësaj neglizhence.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit