Një tjetër rast i papërgjegjshmërisë në rrugët e vendit është kapur nga pamjet e dërguara nga një qytetar, ku shfaqet një kamion që transporton ngarkesë të rëndë në kushte totale pasigurie.
Në videon e regjistruar në një aks rrugor, duket qartë një kamion (me targa AB 122 LE) i cili mban në karroceri blloqe të rënda betoni dhe një bobinë të madhe, të vendosura pa asnjë masë fiksimi apo lidhjeje të sigurt.
Blloqet e betonit qëndrojnë lirshëm në pjesën e pasme të mjetit, duke përbërë një “bombë me sahat” në lëvizje. Çdo frenim i papritur, kthesë apo gropë në rrugë mund të shkaktojë rrëshqitjen ose rënien e tyre në asfalt, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e automjeteve dhe qytetarëve që qarkullojnë pas këtij mjeti.
Qytetarët bëjnë thirrje që autoritetet dhe Policia Rrugore të ndërhyjnë dhe të ndëshkojnë rreptësisht këto raste të transportit të papërgjegjshëm që rrezikojnë jetën në rrugë.