Një tjetër ngjarje e rëndë dhe me rrezikshmëri të lartë për jetën e drejtuesve të mjeteve vjen nga aksi rrugor Qukës-Përrenjas, ku një qytetar ka rënë pre e një situate të rrezikshme për shkak të pranisë së vajit të derdhur në rrugë.
Përmes një videoje të kapur nga kamera e sigurisë e makinës gjatë orëve të mbrëmjes, qytetari tregon momentin se si automjeti i tij humbet kontrollin dhe i rrëshqet në mënyrë të rrezikshme në asfalt, për shkak të substancës së rrëshqitshme të hedhur në rrugë.
Sipas denoncuesit, ky nuk është një rast i rastësishëm apo ndonjë defekt teknik i ndonjë mjeti, por dyshohet se persona të papërgjegjshëm kanë hedhur vaj në rrugë, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e udhëtarëve dhe çuar drejt aksidenteve fatale. Në pamje shihet qartë vështirësia e kontrollit të mjetit gjatë lëvizjes në këtë aks.
Përmes këtij denoncimi publik, drejtuesit e mjeteve kërkojnë vëmendjen e autoriteteve kompetente, Policisë Rrugore dhe mirëmbajtjes së rrugës për të verifikuar situatën, për të marrë masa pastrimi dhe për të kapur autorët e këtij akti të papërgjegjshëm që rrezikon jetën e qytetarëve.