Krim mjedisor në Kukës: Liqeni thahet, qyteti i vjetër del në sipërfaqe

Krim mjedisor në Kukës: Liqeni thahet, qyteti…

Liqeni i Kukësit është kthyer në skenën e një katastrofe mjedisore dhe historike të paralajmëruar.

Ulja drastike e nivelit të ujit, që ka nxjerrë zbuluar rrënojat e qytetit të vjetër, nuk është thjesht një pasojë e thatësirës natyrore, por reflektim i drejtpërdrejtë i një keqmenaxhimi kriminal dhe i shfrytëzimit të pamëshirshëm të burimeve ujore për interesa fiskale e tregtare të energjisë.

Ndërsa KESH dhe strukturat shtetërore vazhdojnë të heshtin pas dyerve të zyrave të ngrohta në Tiranë, përtej liqenit po ndodh një krim ekologjik. Banorët e Kukësit nuk po kërkojnë thjesht shpjegime burokratike; ata kërkojnë llogaridhënie penale dhe institucionale për këtë zhvatje të paprecedentë të ekosistemit. A po sakrifikohet liqeni për të mbushur arka tregtimi energjie në kurriz të komunitetit?

Heshtja e KESH-it, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, asaj të Mjedisit dhe Bashkisë së Kukësit nuk është thjesht paaftësi; ajo është bashkëfajësi e hapur. Këto institucione kanë detyrim ligjor dhe moral të bëjnë transparente çdo shifër të menaxhimit të kuotave të ujit, të dokumentojnë dëmin e shkaktuar dhe të ndalin menjëherë çdo abuzim.

Një liqen nuk mund të trajtohet si pishinë private për interesa energjetike, kur ai përfaqëson identitetin,dhimbjen, kujtesën historike dhe të ardhmen e një rajoni të tërë. Kukësi nuk është pronë e askujt për t’u shfrytëzuar deri në asgjësim dhe për t’u braktisur në heshtje.

Kukësi refuzon të heshtë më! Transparencë totale, llogaridhënie dhe ndalim i menjëhershëm i kësaj maskarade mjedisore!

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit