Nga informimi paraprak për operacionet policore, te ndërhyrjet për të mbajtur hapur kazinotë e paligjshme. Komunikimet e ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, Oltion Bistri, me biznesmenin Pëllumb Gjoka, të zbardhura nga përgjimet e aplikacionit Sky ECC, ekspozuan një marrëdhënie që dyshohet se shkonte përtej njohjes personale, duke përfshirë edhe përdorimin e informacionit konfidencial të policisë në interes të personave të lidhur me botën e krimit.
Pothuajse tre vite pas arrestimit në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ish-shefi i Forcës së Posaçme Operacionale merr një tjetër goditje nga drejtësia. Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë, duke e dënuar Bistrin me 7 vite e 4 muaj burg.
Në qendër të hetimeve të SPAK ishin komunikimet e Bistrit me biznesmenin Pëllumb Gjoka në aplikacionin e koduar Sky ECC, kryesisht gjatë periudhës nëntor 2019 – prill 2020, kur Bistri drejtonte Komisariatin Nr. 2 në Tiranë.
Sipas hetimeve, ish-zyrtari i policisë dyshohet se kishte shfrytëzuar funksionin e tij për t’i krijuar lehtësi Gjokës, i cili ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit në territorin që mbulohej nga komisariati.
Një prej episodeve më domethënëse lidhet me operacionin policor të shkurtit 2020 kundër kazinove të paligjshme. Dy ditë përpara ndërhyrjes, më 18 shkurt, Bistri e paralajmëronte Gjokën që të mos hapte ambientin dhe të mos i tregonte askujt për informacionin që kishte marrë.
Paralajmërimi u përsërit edhe më 20 shkurt, ditën kur pritej të zhvillohej operacioni. Këtë herë, Bistri e këshillonte biznesmenin të largohej nga qarkullimi dhe të fikte telefonin.
“Tani do fillojë për pak, ik futu gjëkundi se s’i dihet, mos rri në qarkullim dhe fike telefonin”, i shkruante ai.
Në vijim të bisedës, Bistri i tregonte se nuk e kishte ende listën e plotë të emrave dhe ambienteve që do të kontrolloheshin, ndërsa pretendonte se drejtori i policisë do ta hiqte pikën e Gjokës nga lista e kontrolleve.
Në këto komunikime përmendej edhe Rebani Jaupi, i cili në atë kohë mbante detyrën e drejtorit të Policisë së Tiranës. Bistri i referohej atij si një person me të cilin kishte komunikuar për çështjen e kazinosë.
Por komunikimet mes tyre nuk përfundonin te paralajmërimet për aksionet policore. Në një tjetër bisedë, ish-drejtuesi i policisë i tregonte Gjokës se kishte ndërhyrë për të mos ia mbyllur aktivitetin, pavarësisht kërkesave që, sipas tij, vinin nga drejtues të tjerë të policisë.
Në biseda përmendej edhe një person me emrin Ardi, për të cilin në media është ngritur dyshimi se mund të bëhej fjalë për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.
Bistri shprehej se kishte dhënë fjalën që aktiviteti i Gjokës të mos mbyllej dhe se nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga premtimi i tij. Në një prej mesazheve përmendte edhe shumën prej 1.500 eurosh, duke pretenduar se ndërhyrjen nuk e kishte bërë për para, por për shkak të marrëdhënies personale me biznesmenin.
Një tjetër episod i rëndësishëm daton në fund të dhjetorit 2019. Bistri i tregonte Gjokës se efektivët e policisë kishin shkuar për kontroll pas denoncimeve për një kazino, por nuk kishin konstatuar shkelje. Nga përmbajtja e komunikimeve lindnin dyshime se kontrolli ishte kryer vetëm formalisht, duke lejuar vijimin e aktivitetit.
Përgjatë bisedave, Bistri i përcillte biznesmenit edhe informacione mbi denoncimet e bëra për ambientet e lojërave të fatit, si dhe mbi hetimet që zhvilloheshin ndaj punonjësve të policisë. Në një rast, ai kërkonte të identifikohej personi që kishte dhënë informacion për një ambient ku zhvilloheshin lojëra të paligjshme.
Presioni ndaj aktiviteteve të Gjokës duket se ishte shtuar në shkurt 2020. Në një komunikim të datës 23 shkurt, Bistri i tregonte biznesmenit se ishte thirrur nga eprorët dhe se një prej pikave të lojërave të fatit nuk mund të vazhdonte më aktivitetin.
Ai pretendonte se për këtë çështje ishte interesuar edhe ministri i atëhershëm i Brendshëm, Sandër Lleshi, ndërsa i kërkonte Gjokës të mos komunikonte me persona të tjerë dhe të takohej me të në një vend të caktuar në Tiranë.
Sipas SPAK, këto komunikime krijuan dyshime të forta se Bistri kishte dijeni për aktivitetet e paligjshme të biznesmenit dhe, në vend që të përdorte autoritetin e tij për t’i goditur, dyshohet se e kishte vënë atë në shërbim të mbrojtjes së tyre.