Gjykata e dënoi me 7 vite burg: Oltion Bistri i bën 'puçin', policia nuk e gjen në banesë

Gjykata e dënoi me 7 vite burg:…

Një ditë pasi Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi me 7 vite e 4 muaj burg për korrupsion dhe pastrim parash, ish-shefi i Forcave Operacionale, Oltion Bistri, nuk është gjetur në banesë nga policia.

Efektivët kanë tentuar të ekzekutojnë vendimin e gjykatës dhe ta rikthejnë pas hekurave ish-zyrtarin e lartë të policisë, por nuk e kanë gjetur në banesë. Deri më tani, nuk ka një informacion zyrtar për vendndodhjen e tij, ndërsa vendimi për rikthimin në burg mbetet ende i paekzekutuar.

Sipas përllogaritjeve të prokurorëve të SPAK, Bistrit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 10 muaj e 14 ditë burg.

Vendimi i Apelit përmbysi atë të Shkallës së Parë, e cila në nëntor të vitit 2025 e kishte dënuar Bistrin vetëm për zbulimin e akteve apo të dhënave sekrete, duke e shpallur të pafajshëm për korrupsion dhe pastrim parash. Në atë kohë, për shkak të kohës së kaluar në paraburgim, ai ishte liruar nga qelia.

Por Apeli e shpalli fajtor edhe për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Gjykata caktoi fillimisht 5 vite burg për korrupsionin dhe 7 vite për pastrimin e parave. Pas bashkimit të dënimeve, masa u përcaktua në 11 vite burg, e cila u reduktua në 7 vite e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi edhe konfiskimin e pasurive të sekuestruara gjatë hetimeve. Në janar 2024, SPAK kishte sekuestruar pasuri me vlerë rreth 1 milion euro në emër të Bistrit dhe familjarëve të tij.

Ish-shefi i Operacionales u arrestua më 27 korrik 2023, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, së bashku me biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-prokurorin Xhevahir Lita, ish-policin Ardit Hasanbega dhe persona të tjerë.

Hetimet e SPAK, të zhvilluara edhe me mbështetjen e autoriteteve ndërkombëtare, zbuluan komunikime në aplikacionin e koduar SKY ECC. Sipas dosjes hetimore, Bistri i përcillte biznesmenit Pëllumb Gjoka informacione konfidenciale mbi veprimtarinë e policisë, aksionet e planifikuara dhe denoncimet që bëheshin ndaj bizneseve të tij.

Në të njëjtën dosje, Apeli la në fuqi edhe dënimet për të pandehurit e tjerë. Behar Bajri u dënua me 8 vite e 8 muaj burg, Astmer Bilali me 5 vite e 8 muaj, ndërsa Edmond Preka me 7 vite burg.

Dosja “Metamorfoza” përfshin hetime për një rrjet të dyshuar kriminal dhe një sërë veprash të rënda penale, mes tyre vrasje, trafik narkotikësh, korrupsion dhe pastrim parash.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit