Një tjetër rast skandaloz i gjendjes së mjerueshme të infrastrukturës rrugore ka sjellë në vëmendje shqetësimin e radhës të drejtuesve të mjeteve, të cilët çdo ditë përballen me rreziqe të reja në aksin drejt Vlorës për shkak të gropave dhe mungesës së ndërhyrjeve mirëmbajtëse. Në pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes, shihet qartë një automjet i dëmtuar rëndë në sistemin e xhenerikes dhe rrotën e parë, pasi ka rënë në një nga gropat e shumta që kanë pushtuar rrugën.
Automjeti duket i ngritur në krik, me gomën e hequr dhe pjesët e shasisë të ekspozuara, një pamje kjo e kthyer në rutinë për qytetarët që detyrohen të ndërrojnë gomat çdo dy ditë. Situata dëshmon për pasojat e drejtpërdrejta që amortizimi i rrugëve ka mbi xhepat e qytetarëve, të cilët përveç taksave paguajnë edhe kosto të papërballueshme riparimesh prej neglizhencës institucionale.
Banorët dhe drejtuesit e automjeteve bëjnë thirrje urgjente për kujdes të shtuar nga të gjithë drejtuesit e tjerë që qarkullojnë në këtë drejtim, ndërkohë që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse për rehabilitimin e plotë të akseve rrugore.