Arben Voja, aktualisht drejtor i Spitalit Rajonal të Fierit dhe ish-drejtor i Kadastrës, është vënë në pranga së bashku me tre ish-zyrtarë të tjerë dhe një notere, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar në mënyrë të paligjshme 44.100 metra katrorë tokë shtetërore në fshatin Povelçë për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Hetimet e Prokurorisë së Fierit nisën pas kallëzimit të një qytetari, pronë e të cilit u përdor pa dijeninë e tij përmes një zinxhiri dokumentesh të falsifikuara, kartelave të ndërhyra fizikisht dhe prokurave noteriale ku nënshkrimet ishin marrë mbi fletë të bardha.
Sipas dosjes hetimore, pasuria publike u regjistrua në mënyrë fiktive dhe u shit te palët e treta për 88.200 euro, ndërsa një prej të dyshuarve, Dilaver Shyti, u kishte ofruar më pas të dëmtuarve 15.000 euro kesh për të tërhequr kallëzimin.
Përveç masës “Arrest në burg” të caktuar nga gjykata për Arben Vojën, Dilaver Shytin, juristit Fjorelo Bida dhe noteres Anila Haxhiu, si dhe masave të detyrimit për hartografen Arbina Jaupaj, autoritetet kanë sekuestruar tokën dhe kanë vendosur sekuestro preventive.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Arben Vojës, policia gjeti gjithashtu 7 zarfe me shuma të konsiderueshme parash në euro, lekë, krona norvegjeze dhe dollarë kanadezë, si dhe mbi 100 fishekë armë zjarri e gjahu, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ka pasuri të tjera të tjetërsuara me të njëjtën skemë.