Trafiku i drogës apo hakmarrje, çfarë fshihet pas ekzekutimit të 39-vjeçarit vlonjat në Spanjë?

Trafiku i drogës apo hakmarrje, çfarë fshihet…

Luka Beqiraj, 39-vjeçari nga Vlora i njohur edhe me pseudonimin “Kriols”, u ekzekutua me armë zjarri më 10 nëntor në një kompleks sportiv në zonën e Orihuela Costa, në provincën e Alikantes, Spanjë. Autori e qëlloi dhe më pas u largua me shpejtësi nga vendngjarja, pranë zonës së Playa Flamenca.

Menjëherë pas ngjarjes, një nga pistat që nisi të shqyrtohej ishte ajo e larjes së hesapeve, për shkak të së kaluarës së 39-vjeçarit dhe dyshimeve për përfshirjen e tij në aktivitete kriminale. Megjithatë, deri më tani autoritetet spanjolle nuk kanë konfirmuar zyrtarisht motivin e atentatit apo ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me aktivitetin e tij të mëparshëm.

Ndërkohë, informacione të reja të përcjella nga një burim për JOQ Albania hedhin dritë mbi disa konflikte të vjetra në Vlorë, të cilat mund të përbëjnë një tjetër pistë për t’u shqyrtuar në lidhje me ekzekutimin e Beqirajt.

Sipas këtij burimi, ngjarja mund të ketë lidhje me dy vrasje të mëparshme në Vlorë. Në vitin 2019 dhe në vitin 2020 ndodhën dy vrasje. Për këtë të fundit, burimi pretendon se Luka Beqiraj dyshohej si një prej personave kryesorë në organizimin e vrasjes.

Sipas të njëjtit burim, pas vrasjes së Beqirajt janë përhapur versione që e lidhin ngjarjen me pazare droge, por ai pretendon se motivi mund të jetë hakmarrja për konfliktet e mëparshme mes personave të përfshirë në këto ngjarje.

Një tjetër detaj që burimi bën me dije lidhet me jetën e 39-vjeçarit në Spanjë. Ai pretendon se Luka Beqiraj jetonte prej vitesh atje me bashkëshorten dhe dy fëmijët, pasi ishte larguar nga Shqipëria pas vrasjes së xhaxhait, nga frika se mund të bëhej edhe vetë objektiv i një atentati.

Ndërkohë, në të kaluarën, emri i Luka Beqirajt ishte shfaqur edhe në kronikat policore shqiptare. Ai ishte arrestuar në vitin 2016 pas një konflikti të dhunshëm, ku dyshohej se kishte sulmuar dhe plagosur rëndë një person. Në vitin 2019, emri i tij u përfshi gjithashtu në operacionin shqiptaro-italian “Lulet e Pranverës”, që goditi një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe armëve.

Deri më tani, pretendimet e burimit mbeten të pakonfirmuara nga autoritetet dhe nuk ka prova publike që të vërtetojnë një lidhje mes personave të përmendur dhe ekzekutimit në Spanjë. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi motivin e vërtetë të vrasjes së 39-vjeçarit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit