Refuzoi Kombëtaren kuqezi, Brajan Gruda i shënon Serbisë me fanellën e Gjermanisë

Refuzoi Kombëtaren kuqezi, Brajan Gruda i shënon…

Gjermania ka triumfuar me rezultatin 3-1 ndaj Serbisë, në një takim ku vëmendjen e veçantë e mori futbollisti me origjinë shqiptare, Brajan Gruda, i cili arriti të gjente rrugën e rrjetës me një realizim mjaft të bukur.

Gjermanët e zhbllokuan shumë shpejt rezultatin. Në minutën e tretë, pas një goditjeje nga këndi, mbrojtësi serb Srdjan Babic devijoi topin në portën e tij, duke i dhënë avantazhin 1-0 skuadrës kundërshtare.

Epërsia u dyfishua në minutën e 14-të. Florian Wirtz shfrytëzoi një top të rikthyer nga portieri serb dhe me një goditje të saktë e dërgoi atë në rrjetë për rezultatin 2-0.

Pas pushimit, Gjermania gjeti edhe golin e tretë, këtë herë falë Brajan Grudës i cili në minutën e 50-të, zhvilloi një aksion individual mjaft të bukur, duke kaluar mbrojtjen serbe dhe më pas lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, që përfundoi në rrjetë.

Serbia reagoi gjashtë minuta më vonë, kur Srdjan Babic shlyeu gabimin e pjesës së parë, duke shënuar në portën kundërshtare pas një topi të mbetur në zonë dhe duke ngushtuar shifrat në rezultatin përfundimtar 3-1.

Brajan Gruda ka refuzuar disa herë ftesën e Kombëtares Shqiptare duke deklaruar se e ndjen veten gjerman dhe pritur një ftesë zyrtare prej tyre.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit