Një aksident i rëndë rrugor është shënuar paraditen e sotme në Rrugën e Arbrit, në zonën e njohur si “Zall Maricë”, në Njësinë Administrative Zall-Bastar, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.
Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga JOQ Albania, dy automjetet po udhëtonin në drejtim të Dibrës. Në njërin prej tyre, me targa të Tetovës, udhëtonte një çift dhe dyshohet se gruaja ka humbur jetën si pasojë e përplasjes.
Ndërkohë, në automjetin tjetër udhëtonte një familje nga Dibra, me tre fëmijë. Edhe në këtë mjet, sipas të dhënave paraprake, dyshohet se kryefamiljari, i cili ishte në drejtimin e automjetit, ka humbur jetën.
Dëshmitarë të rastit janë përpjekur t’u japin ndihmën e parë personave të përfshirë në aksident, deri në mbërritjen e autoambulancave në vendngjarje.
Dy ambulanca kanë mbërritur për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve dhe për transportimin e tyre drejt spitalit.
Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta. Informacionet për viktimat dhe gjendjen e personave të tjerë të përfshirë janë paraprake dhe pritet konfirmimi zyrtar nga autoritetet.