1.7 tonë kokainë të fshehura në trungje druri kapen në Spanjë, në pranga një shqiptar

1.7 tonë kokainë të fshehura në trungje…

Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar 1.763 kilogramë kokainë në Portin e Valencias, në një tjetër operacion kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Lënda narkotike ishte kamufluar brenda trungjeve të drurit, në dy kontejnerë të ardhur nga Ekuadori. Në mesin e katër personave të arrestuar është edhe një shtetas shqiptar.

Operacioni vjen vetëm dy ditë pas sekuestrimit të afro tre tonëve kokainë në të njëjtin port, duke rikthyer në vëmendje aktivitetin e grupeve kriminale që përdorin Spanjën si pikë hyrëse për furnizimin e tregut evropian me drogë.

Sipas mediave spanjolle, hetimi nisi pas informacioneve të mbledhura nga strukturat që luftojnë trafikun e lëndëve narkotike përmes rrugëve detare. Dy kontejnerët e dyshimtë ishin nisur rreth dy javë më parë nga porti i Guayaquil, në Ekuador.

Kontrolli me skaner konfirmoi dyshimet e autoriteteve për praninë e një ngarkese të paligjshme të fshehur mes mallrave. Pas marrjes së autorizimit gjyqësor, agjentët vendosën të ndiqnin lëvizjen e kontejnerëve, nga dalja prej portit deri në destinacionin përfundimtar.

Kontejnerët u ngarkuan në dy kamionë dhe u transportuan drejt një magazine industriale në Aldaia, ku policia ndërhyri në momentin që po shkarkohej ngarkesa. Aty u arrestuan katër persona: dy spanjollë, një kolumbian dhe një shqiptar.

Sipas burimeve të cituara nga mediat vendase, dy shtetasit spanjollë dyshohet se merreshin me shkarkimin e drogës, ndërsa kolumbiani përfaqësonte furnizuesit. Shqiptari dyshohet se ishte i përfshirë si pronar dhe financues i dërgesës.

Hetuesit dyshojnë se pas kësaj ngarkese qëndron sërish Karteli i Ballkanit, ndërsa puna vijon për të zbardhur të gjithë zinxhirin e trafikut dhe për të identifikuar personat që organizuan transportin.

Kokaina ishte fshehur brenda trungjeve të drurit

Ajo që e bën këtë rast veçanërisht të ndërlikuar është mënyra e përdorur për transportimin e drogës. Sasia prej 1.763 kilogramësh ishte fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda trungjeve të drurit, një metodë që, sipas hetuesve, nuk ishte hasur prej vitesh.

Operacioni u zhvillua nga njësia kundër drogës e Gardës Civile në Valencia, njësia qendrore UDYCO e Policisë Kombëtare dhe autoritetet e Mbikëqyrjes Doganore.

Valencia, sërish një pikë kyçe e trafikut të kokainës

Sekuestrimi i fundit shton shqetësimet për rikthimin e aktivitetit të rrjeteve të narkotrafikut në Portin e Valencias. Pas goditjeve të mëparshme ndaj organizatave kriminale që kishin depërtuar në këtë pikë strategjike, autoritetet kishin konstatuar një rënie të aktivitetit të tyre.

Megjithatë, sasitë e kapura së fundmi tregojnë se porti vijon të përdoret për futjen e ngarkesave të mëdha të kokainës në Evropë.

Vetëm në muajin gusht, në Valencia u sekuestruan 2.600 kilogramë të tjera kokainë, të fshehura në hapësira të dyfishta brenda paletave me arra kokosi. Ngarkesa kishte mbërritur nga Gana, përmes dy kontejnerëve.

Sipas hetuesve, droga e futur përmes këtyre rrugëve detare synohet të shpërndahet më pas në Madrid dhe në vende të tjera të Evropës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit