Me lopata në duar, mes pemëve dhe në errësirën e natës, hetuesit hungarezë kanë nxjerrë nga toka tufa të tëra kartëmonedhash. Pamjet e publikuara nga autoritetet ngjajnë me skena të një filmi kriminal, por janë pjesë e një hetimi për korrupsion ndaj Miklós Seszták, ish-ministër i Zhvillimit në qeverinë e ish-kryeministrit Viktor Orbán.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara më 12 dhe 13 nëntor, hetuesit zbuluan shuma të mëdha parash të groposura në pyje, të fshehura në ndërtesa bujqësore, magazina, një banesë private, si dhe në një kasafortë me vlerë të lartë, të vendosur në një zonë të izoluar.
Në total, autoritetet sekuestruan rreth 17.7 milionë euro, në monedhën vendase, forinta hungareze, si dhe në euro e dollarë amerikanë. Për të numëruar të gjithë shumën, 12 punonjës të Thesarit të Shtetit u angazhuan për tetë orë, duke përdorur pesë makina për numërimin e kartëmonedhave.
Sipas autoriteteve, hetimi lidhet me dyshimet se Seszták, i cili drejtoi Ministrinë e Zhvillimit nga viti 2014 deri në vitin 2018, ka përfituar ryshfete dhe pagesa të paligjshme përmes kontratave shtetërore për blerjen e autobusëve dhe realizimin e projekteve të ndërtimit. Ish-ministri u arrestua në fund të shtatorit dhe ka mohuar çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Avokati i tij, Gábor Papp, ka deklaruar për median hungareze Telex se paratë e sekuestruara nuk i përkasin klientit të tij, ndërsa ka theksuar se në çështjen e ryshfeteve janë të përfshirë edhe persona të tjerë.
Sekuestrimi i parave është pjesë e fushatës kundër korrupsionit të qeverisë së re hungareze, të drejtuar nga Péter Magyar, i cili erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbánit.
Magyar e ka quajtur fushatën kundër korrupsionit “Operacioni Purgatori”, duke premtuar hetime të gjera për dyshimet mbi abuzimet dhe përvetësimin e fondeve publike gjatë qeverisjes së mëparshme.
Kryeministri hungarez e cilësoi zbulimin e parave si një shenjë të fundit të asaj që ai e ka përshkruar si një sistem “mafie”, të drejtuar nga partia e djathtë Fidesz e Orbánit dhe aleatët e saj kristiandemokratë.
Ndërkohë, hetimet për korrupsion në Hungari nuk kufizohen vetëm te rasti i ish-ministrit. Në çështje të tjera penale janë arrestuar edhe dy ish-ministra të qeverisë së Orbánit, si dhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore, György Matolcsy. Të gjithë i kanë mohuar akuzat.
Autoritetet kanë ndaluar gjithashtu edhe vëllain e ish-kryeministrit Orbán, në kuadër të një hetimi për trafikim personash, çështje që ish-kreu i qeverisë e ka cilësuar si hakmarrje politike.
Pamjet e parave të gjetura në pyje dhe ambiente bujqësore kanë marrë vëmendje të gjerë në Hungari. Sipas një sondazhi të publikuar nga agjencia Median në median HVG, 70 për qind e të anketuarve e konsiderojnë luftën kundër korrupsionit si një çështje shumë të rëndësishme.
Ndërsa hetimet vijojnë, autoritetet po përpiqen të zbardhin origjinën e shumave të sekuestruara dhe personat që qëndrojnë pas tyre. Një pjesë e konsiderueshme e parave të dyshuara si të përfituara nga korrupsioni nuk ishte fshehur në llogari bankare apo në parajsa fiskale, por ishte groposur nën tokë, mes pemëve dhe në ambientet e fermave.