Shqipëria do të luajë këtë të diel ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në UEFA Nations League, ku do të përballet me Bjellorusinë në Budapest të Hungarisë. Sfida e vlefshme për Grupin C1 do të jetë vendimtare për kuqezinjtë, të cilët synojnë ta mbyllin këtë fazë në vendin e parë dhe të sigurojnë ngjitjen në Ligën B.
Përballja do të zhvillohet në stadiumin “Illovszky Rudolf”, por këtë herë pa praninë e tifozëve në tribuna. Kështu, mbështetësit shqiptarë nuk do të kenë mundësi të ndjekin nga afër kombëtaren, për shkak të sanksioneve të vendosura nga UEFA ndaj Bjellorusisë.
Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, i marrë më 3 mars 2022, parashikon që kombëtarja dhe klubet bjelloruse t’i zhvillojnë ndeshjet si pritëse në terrene neutrale dhe pa praninë e spektatorëve. Këto masa vijojnë të jenë në fuqi dhe zbatohen edhe për takimin e sotëm ndaj Shqipërisë.
Kuqezinjtë vijnë në këtë përballje si kryesues të Grupit C1 me 12 pikë, ndërsa Bjellorusia renditet e dyta me 10 pikë. Shqipërisë i mjafton një barazim për të ruajtur vendin e parë dhe për të siguruar ngjitjen në Ligën B.