Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë rikthimin në protesta paqësore, nëse qeveria e drejtuar nga Hristijan Mickoski nuk jep një përgjigje konkrete për kërkesën e tyre që provimi i jurisprudencës të zhvillohet plotësisht në gjuhën shqipe.
Shkak për pakënaqësinë e studentëve është bërë vendimi i qeverisë për t’ia kaluar çështjen për shqyrtim Komisionit të Venecias, një veprim që ata e konsiderojnë si përpjekje për të zvarritur zgjidhjen e problemit, i cili prej muajsh mbetet pa përgjigje.
Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme do të mblidhet grupi organizativ për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm. Ai nuk e përjashton mundësinë e një tjetër proteste, por fillimisht studentët do të shqyrtojnë mundësinë e një takimi të fundit me institucionet.
Ademi theksoi se pas muajsh pritjeje, studentët kërkojnë një përgjigje të qartë se kur dhe në çfarë mënyre do të mund ta japin të gjithë provimin në gjuhën shqipe. Nëse edhe kjo përpjekje dështon, rikthimi në protesta duket i pashmangshëm.
Studentët kundërshtojnë dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, me argumentin se Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e përcaktojnë tashmë statusin dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Përfaqësuesi i tyre ka vënë gjithashtu në pikëpyetje vonesën e qeverisë, duke kujtuar se Mickoski kishte folur që më 10 shkurt për mundësinë e kërkimit të një mendimi nga ky institucion, ndërsa veprimi konkret u ndërmor vetëm në nëntor.
Një tjetër pikë kundërshtimi është edhe propozimi i kryeministrit Mickoski, sipas të cilit pjesa teorike e provimit të jurisprudencës mund të zhvillohet në shqip, maqedonisht, anglisht dhe turqisht, ndërsa pjesa praktike të mbetet vetëm në gjuhën maqedonase.
Studentët e konsiderojnë këtë model si kufizim të së drejtës për përdorimin e shqipes dhe si një hap pas në zbatimin e statusit të saj si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Nga ana tjetër, qeveria ka miratuar kërkesën për një mendim urgjent nga Komisioni i Venecias, për të vlerësuar nëse modeli i propozuar për provimin e jurisprudencës është në përputhje me Kushtetutën dhe standardet europiane. Zëvendëskryeministri Bekim Sali e ka cilësuar këtë vendim si një hap drejt mundësimit të provimit në gjuhën shqipe, por deri më tani nuk është miratuar një ligj që garanton zhvillimin e plotë të tij në këtë gjuhë.
Ndërkohë, rreth 400 studentë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Europës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” kanë firmosur një peticion, përmes të cilit kërkojnë që provimin e jurisprudencës ta zhvillojnë në gjuhën shqipe, ashtu siç kanë ndjekur edhe studimet e tyre.
Deri më tani, studentët kanë organizuar dy protesta për këtë çështje, duke kërkuar zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe garantimin e të drejtës së tyre. Tashmë, ata presin një përgjigje konkrete nga institucionet, në të kundërt paralajmërojnë se do të rikthehen në rrugë për të kërkuar atë që e konsiderojnë një të drejtë të mohuar.