Shqipëria ka siguruar ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve, pas një fitoreje të merituar 0-2 ndaj Bjellorusisë në Budapest. Kuqezinjtë e mbyllin Grupin C1 në vendin e parë me 15 pikë, duke kurorëzuar me sukses një fushatë pozitive në këtë kompeticion.
Kombëtarja e drejtuar nga Maran e zgjidhi ndeshjen me nga një gol në secilën pjesë. Në minutën e 28-të, Rey Manaj zhbllokoi rezultatin me një goditje të fortë nga kufijtë e zonës, duke i dhënë Shqipërisë avantazhin e parë.
Në minutën e 57-të erdhi edhe momenti i Elseid Hysajt. Mbrojtësi kuqezi mori topin në krahun e djathtë dhe gjuajti drejt portës, ndërsa devijimi i topit nga mbrojtja kundërshtare përfundoi në rrjetë, duke vulosur rezultatin 0-2.
Në vijim, Bjellorusia u përpoq të rikthehej në lojë, por Etrit Berisha u përgjigj mirë në portë, duke ndalur disa tentativa të kundërshtarëve. Shqipëria pati gjithashtu mundësi për të thelluar rezultatin, ndërsa një rast që fillimisht u konsiderua penallti u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje në aksionin paraprak.
Kjo fitore vjen vetëm pak ditë pas suksesit 2-0 ndaj Finlandës, të enjten, duke e mbyllur në mënyrën më të mirë këtë fazë të Ligës së Kombeve.
Me plot 15 pikë, Shqipëria siguron vendin e parë në grup dhe ngjitjen direkte në Ligën B. Një tjetër hap përpara për Kombëtaren, që e mbyll këtë edicion me dy fitore radhazi dhe me një objektiv të rëndësishëm të arritur!