Atentat me armë zjarri në Itali, plagoset rëndë 43-vjeçari shqiptar

Atentat me armë zjarri në Itali, plagoset…

Një 43-vjeçar shqiptar ndodhet në gjendje kritike për jetën, pasi u qëllua me armë zjarri në qytetin e Pavias, në Itali. Ngjarja ndodhi pak para orës 19:30 të së shtunës, teksa ai po kthehej në banesë së bashku me një mik dhe koleg. Autorët hapën zjarr nga një automjet në lëvizje dhe më pas u larguan.

Sipas të dhënave paraprake, shqiptari u godit nga një plumb i kalibrit 7.65 mm në pjesën anësore të trupit, pranë ijeve. Projektili i ka dëmtuar njërën mushkëri, duke i shkaktuar plagë të rënda. Ai u transportua në spitalin San Matteo të Pavias, ku ndodhet i shtruar në terapinë intensive, në rrezik për jetën.

Viktima jeton në Certosa di Pavia dhe punon si murator. Sipas informacioneve paraprake, ai nuk ka precedentë penalë dhe nuk rezulton të ketë pasur probleme të mëparshme me drejtësinë.

Në momentin e sulmit, ai shoqërohej nga një bashkëkombës, gjithashtu mik dhe koleg i tij. Hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që objektivi i atentatit të ketë qenë pikërisht shoqëruesi, por kjo pistë mbetet ende e pakonfirmuar.

Pak para ngjarjes, dy shqiptarët kishin konsumuar një aperitiv në një lokal dhe po shkonin drejt automjetit të parkuar në zonën e Conca del Naviglio. Teksa ecnin përgjatë bulevardit të Monumentit, pranë tyre kaloi një makinë, nga xhami i së cilës një person qëlloi me armë zjarri në drejtim të tyre.

Shoqëruesi i të plagosurit njoftoi menjëherë urgjencën dhe familjarët, të cilët e transportuan me automjetin e tyre drejt spitalit, pa pritur mbërritjen e ambulancës.

Policia e Pavias ka nisur hetimet dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar automjetin dhe personat që ndodheshin në të. Dyshohet se në makinë kanë qenë dy persona, drejtuesi dhe autori i të shtënave, të cilët pas sulmit janë larguar në drejtim të Milanos.

Motivet e atentatit mbeten ende të paqarta. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e një larjeje hesapesh apo të ndonjë konflikti që mund të lidhet me aktivitetin e tyre në sektorin e ndërtimit. Megjithatë, deri tani nuk ka prova që të dy shqiptarët të kenë lidhje me qarqet kriminale dhe asnjë pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit