Pas problemeve të regjistruara në trafikun ajror amerikan dhe ndërprerjeve të shërbimeve teknologjike, një tjetër problem i gjerë ka prekur këtë të hënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë herë në sektorin bankar.
Mijëra klientë të disa prej bankave më të mëdha në vend kanë raportuar vështirësi në aksesimin e llogarive të tyre online, përdorimin e aplikacioneve bankare, kontrollimin e gjendjes së llogarive dhe kryerjen e transfertave.
Sipas raportimeve të Associated Press dhe mediave amerikane, problemet kanë prekur Chase, Bank of America, Wells Fargo, U.S. Bank dhe Capital One, ndërsa ankesa janë regjistruar edhe për platformën e transfertave elektronike Zelle.
Vetëm për Chase janë regjistruar mijëra raportime për probleme në platformën Downdetector, ndërsa edhe bankat e tjera kanë shënuar rritje të ndjeshme të ankesave nga përdoruesit.
Chase ka konfirmuar një problem teknik, duke sqaruar se disa transaksione po kryheshin me vonesa, por klientët vijonin të kishin akses në llogaritë dhe fondet e tyre. Ndërkohë, Wells Fargo njoftoi përkohësisht se shërbimi i saj bankar online ishte i padisponueshëm.
Sa i përket Zelle, kompania deklaroi se platforma funksiononte normalisht dhe se problemet e raportuara lidheshin me shërbimet e disa bankave.
Shkaku i përbashkët i problemeve nuk është konfirmuar dhe deri tani nuk ka prova që bëhet fjalë për një sulm kibernetik.
Zhvillimi vjen pas ndërprerjeve të fundit që kanë prekur edhe shërbimet e Microsoft dhe trafikun ajror në SHBA.