Aksident tragjik në Gjermani, humbin jetën dy të rinjtë shqiptarë nga Kosova

Aksident tragjik në Gjermani, humbin jetën dy…

Një aksident tragjik në Gjermani u ka marrë jetën tre personave, mes tyre edhe dy të rinjve shqiptarë nga Kosova, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët dhe komuniteti i tyre.

Viktimat nga Kosova janë identifikuar si Leart Morina nga Sopniqi dhe Berhan Zeka nga Pataqani i Poshtëm, të dy nga Komuna e Rahovecit. Lajmi për ndarjen e tyre nga jeta është bërë publik edhe nga kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, i cili u ka shprehur ngushëllime familjeve Morina dhe Zeka.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës në rrugën B311, pranë qytetit Erbach, në landin Baden-Württemberg, ku u përfshinë gjithsej nëntë automjete.

Sipas autoriteteve gjermane, dy drejtues automjetesh, përkatësisht 18 dhe 19 vjeç, humbën jetën në vendngjarje. Ndërsa viktima e tretë ishte një pasagjer 26-vjeçar, i cili ndërroi jetë në spital disa orë pas aksidentit.

Nga përplasja mbeti e plagosur rëndë edhe një 26-vjeçare, ndërsa dy persona të tjerë pësuan lëndime të lehta.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se drejtuesi 18-vjeçar humbi kontrollin e automjetit gjatë një manovre parakalimi me shpejtësi të lartë, në segmentin mes Dellmensingen dhe Donaurieden. Makina u përplas fillimisht me disa automjete të tjera dhe më pas me një automjet që vinte nga drejtimi i kundërt.

Përplasja shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe rruga B311 u mbajt e mbyllur për qarkullim gjatë operacioneve të pastrimit dhe hetimeve. Policia gjermane ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj tragjedie.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit