Mes dhimbjes dhe lotëve, familjarë, miq dhe kolegë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit Ermal Lulajt, shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
Homazhet në nderim të 41-vjeçarit u zhvilluan në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku kolegë dhe drejtues të Policisë së Shtetit u mblodhën për të nderuar kujtimin e tij.
Lulaj humbi jetën mbrëmjen e së hënës, pas një aksidenti të rëndë rrugor në autostradën Fier-Vlorë, në afërsi të Novoselës. Ndarja e tij e parakohshme nga jeta ka lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe kolegët.
Përtej uniformës dhe detyrës që mbante, Ermal Lulaj ishte edhe baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët do të përballen me mungesën e tij të parakohshme.
Këtë të martë, ai do të përcillet për në banesën e fundit, ndërsa kujtimi i tij do të mbetet mes njerëzve me të cilët ndau jetën dhe karrierën në radhët e Policisë së Shtetit.