Publikohet videoja e ekzekutimit të Luka Beqirajt në Spanjë, autori e qëllon 3 herë dhe largohet me monopatinë

Publikohet videoja e ekzekutimit të Luka Beqirajt…

Janë publikuar pamjet e rënda të atentatit ndaj shqiptarit Luka Beqiraj, i cili u ekzekutua me armë zjarri në mes të ditës në Spanjë. 39-vjeçari nga Vlora u qëllua teksa ndodhej në tarracën e një lokali në kompleksin sportiv “Playa Flamenca Sport Club”, në zonën e Orihuela Costa-s, në provincën e Alicante-s.

Ngjarja ndodhi më 10 nëntor, pak para orës 13:00. Në videon e publikuar nga gazetari Artan Hoxha shihet autori, i cili i afrohet tavolinës ku qëndronte Beqiraj dhe hap zjarr ndaj tij, duke e qëlluar me tre plumba.

Në tavolinë ndodheshin edhe persona të tjerë, të cilët sapo dëgjojnë të shtënat ngrihen të tmerruar dhe largohen me vrap për t’i shpëtuar sulmit. Ndërkohë, autori largohet me shpejtësi nga vendngjarja duke përdorur një monopatinë elektrike.

Pavarësisht mbërritjes së shërbimeve të urgjencës, 39-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Deri në raportimet e fundit, autori vijonte të ishte në arrati, ndërsa Guardia Civil po punon për identifikimin dhe kapjen e tij.

Hetuesit spanjollë po shqyrtojnë mundësinë që atentati të ketë qenë një vrasje me pagesë, e lidhur me larje hesapesh dhe konflikte mes grupeve kriminale. Megjithatë, motivi i saktë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Luka Beqiraj kishte një të kaluar kriminale dhe ishte i njohur për autoritetet shqiptare. Në vitin 2016 ai u arrestua në Vlorë për plagosje të rëndë me dashje. Në vitin 2019 u arrestua në kuadër të një operacioni të përbashkët shqiptaro-italian kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa në vitin 2020 u dënua nga drejtësia italiane me 4 vite e 6 muaj burgim për veprimtari të lidhura me narkotikët.

E kaluara e tij kriminale është një prej pistave që po shqyrtohen në kuadër të hetimeve, ndërsa autoritetet spanjolle vijojnë punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ekzekutimit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit