Lejuan kalimin e 27 tonëve mish derri nga Brazili, shkarkohen 4 inspektorë të AKU-së

Lejuan kalimin e 27 tonëve mish derri…

Një ngarkesë prej 27 tonësh mish derri të importuar nga Brazili ka kaluar procedurat e kontrollit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, pavarësisht parregullsive të konstatuara më vonë nga institucionet përgjegjëse. Si pasojë, katër inspektorë të AKU-së janë larguar nga detyra.

Ngarkesa, e importuar nga kompania KING-MIT, kishte hyrë në Shqipëri përmes Pikës së Kalimit Kufitar në Durrës. Sipas Inspektoratit të Përgjithshëm, inspektori përgjegjës në këtë pikë nuk kishte kryer verifikimet e nevojshme mbi dokumentacionin, stabilimentin e autorizuar për eksport dhe vërtetësinë e certifikatës shoqëruese.

Probleme janë konstatuar edhe në Fier, ku ngarkesa iu nënshtrua procedurave të tjera të kontrollit. Tre inspektorë të AKU-së nuk kishin evidentuar të gjitha shkeljet, ndërsa masa administrative e vendosur prej tyre nuk ishte në përputhje me natyrën dhe rëndësinë e parregullsive.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe përgjegjësive individuale, Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm ka vendosur largimin nga detyra të inspektorit L.B. në Durrës dhe tre inspektorëve E.T., K.K. dhe M.G. në Fier.

Ndërkohë, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së procedurave të ndjekura edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive të strukturave të tjera të përfshira.

Rasti ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e kontrolleve të sigurisë ushqimore në vend. Si është e mundur që 27 tonë mish derri të kalojnë disa hallka inspektimi dhe shkeljet të konstatohen vetëm pasi procedurat janë përfunduar?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit