Aksident tragjik në Itali: Humb jetën 31-vjeçarja shqiptare, plagosen edhe tre fëmijë që udhëtonin me të

Aksident tragjik në Itali: Humb jetën 31-vjeçarja…

Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën një 31-vjeçareje me origjinë shqiptare në Itali, ndërsa tre fëmijë që udhëtonin me të kanë mbetur të plagosur.

Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini, banuese në Prata di Pordenone. Aksidenti ndodhi paraditen e kësaj të diele, rreth orës 11:15, në rrugën Via Vittorio Emanuele.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Emanuela po drejtonte një automjet tip “Ford Fiesta” dhe po shoqëronte tre fëmijë drejt zonës së Villanova-s, ku do të merrnin pjesë në një festë ditëlindjeje.

Gjatë udhëtimit, makina doli nga rruga dhe u përmbys pas një përplasjeje të fortë me një pengesë anësore. Përplasja ishte fatale për 31-vjeçaren, e cila mbeti e bllokuar në automjet. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit dhe përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, ajo nuk mundi të mbijetonte.

Ndërkohë, tre fëmijët që ndodheshin në makinë mbetën të plagosur. Sipas ANSA-s, një vajzë ishte në gjendje kritike dhe u transportua me helikopter drejt spitalit në Udine, ndërsa dy djemtë e tjerë u dërguan në spitalin e Pordenones.

Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe karabinierët, të cilët po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit