Atentati i rëndë i ndodhur një ditë më parë në qytetin e Fierit ka marrë një tjetër jetë. Jakup Hasani, 47 vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë sulmit me armë zjarri ku u vra xhaxhai i tij, Selami Hasani, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Fierit.
Hasani u qëllua me tre plumba, dy në bark dhe një në nofull. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore mbeti kritike. Pas operacionit, 47-vjeçari u mbajt në repartin e reanimacionit, ku mori kujdes intensiv.
Ngjarja ndodhi në lagjen “1 Maji”, në oborrin e banesës së Selami Hasanit, 60 vjeç, i njohur edhe si “Seli i Malit”. Persona të armatosur hapën zjarr ndaj tij dhe nipit të tij, duke lënë të vdekur në vend 60-vjeçarin dhe të plagosur rëndë Jakup Hasanin, i cili tashmë ka ndërruar jetë.
Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se atentati mund të jetë i lidhur me një konflikt të hershëm gjakmarrjeje. Një nga pistat që po shqyrtohet nga grupi hetimor është hakmarrja për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, i vrarë në vitin 2002. Për këtë ngjarje, Selami Hasani ishte dënuar me 25 vite burg dhe kishte lënë qelinë në vitin 2022.
Ndërkohë, autorët e atentatit vijojnë të jenë në kërkim. Në kuadër të hetimeve, policia ka gjetur një automjet tip “Volvo”, të vjedhur dhe të djegur pranë rrethrrotullimit të Pojanit, në aksin Fier–Vlorë. Brenda automjetit janë konstatuar edhe dy armë zjarri, njëra prej tyre me silenciator.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar dy persona të maskuar me kapuçë të zinj dhe të veshur me rroba të errëta pranë banesës së viktimave. Dyshohet se pas atentatit, autorët janë larguar në drejtim të Vlorës.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë atentat me dy viktima.