Vrau bashkëshorten në sy të fëmijëve, shqiptari dënohet me burgim të përjetshëm në Greqi

Vrau bashkëshorten në sy të fëmijëve, shqiptari…

Shqiptari Pandeli Nakoleci është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia greke, pasi vrau bashkëshorten e tij, 36-vjeçaren Marjola Nakoleci, në gusht të vitit 2025, në qytetin e Volosit.

Vendimi u dha nga Gjykata e Jurisë së Përzier në Trikala, e cila e shpalli unanimisht fajtor 41-vjeçarin për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë psikologjike. Përveç burgimit të përjetshëm, gjykata i dha edhe një vit burg për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës.

Gjatë procesit gjyqësor, Nakoleci u përpoq të justifikonte veprimin e tij me pretendimin se kishte zbuluar një tradhti bashkëshortore dhe se në momentin e krimit nuk kishte qenë në gjendje të qetë psikologjike. Megjithatë, gjykata nuk i pranoi këto pretendime, duke rrëzuar edhe kërkesën e mbrojtjes për përgjegjësi të reduktuar mendore dhe njohjen e rrethanave lehtësuese.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 gusht 2025, në hyrje të pallatit ku jetonte familja, në rrugën Konstantas në Volos. Nakoleci sulmoi me një mjet të mprehtë, pjesë e një seti për pjekje, bashkëshorten e tij, duke e goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit. Goditja fatale ishte ajo në kraharor, ndërsa 36-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Krimi ndodhi në prani të fëmijëve të çiftit, të cilët u përballën me skena të tmerrshme. Pas vrasjes, shqiptari u largua nga vendngjarja dhe u fsheh për rreth 30 orë, derisa u lokalizua dhe u arrestua nga policia, në një parking rreth 200 metra larg banesës.

Një tjetër moment i rëndë ishte edhe seanca gjyqësore, ku të katër fëmijët e çiftit, tashmë 19, 17, 14 dhe 6 vjeç, ndoqën procesin ndaj babait të tyre. Sipas mediave greke, gjatë gjithë seancës ata nuk shkëmbyen asnjë fjalë me të atin.

Me vendimin unanim, gjykata rrëzoi përpjekjet e mbrojtjes për një dënim më të lehtë, duke i dhënë Nakolecit dënimin maksimal për vrasjen e bashkëshortes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit