Kompania ajrore Ryanair ka ndryshuar rregullat për pasagjerët që nuk paguajnë tarifë shtesë për të zgjedhur vendin e tyre në avion.
Sipas politikës së re, këta udhëtarë do të mësojnë numrin e sediljes vetëm 3 deri në 4 orë përpara nisjes së fluturimit, edhe nëse e kanë kryer më herët check-in online.
Ndryshimi ka hyrë në fuqi në fund të tetorit, me fillimin e sezonit dimëror të fluturimeve, pa një njoftim të posaçëm publik nga kompania.
Më parë, pasagjerët mund të kryenin check-in 24 orë përpara fluturimit, të mësonin menjëherë vendin e caktuar automatikisht dhe, nëse nuk ishin të kënaqur, të paguanin për një sedilje tjetër.
Ryanair e ka justifikuar vendimin me ankesat e klientëve që dëshironin të rezervonin një vend të preferuar ditën e udhëtimit, por e gjenin atë të zënë nga pasagjerët që nuk kishin paguar për përzgjedhjen e sediljes.
Kompania ka sqaruar se karta elektronike e imbarkimit do të përditësohet automatikisht me numrin e sediljes disa orë përpara nisjes.
Vendimi ka shkaktuar pakënaqësi në rrjetet sociale, ku shumë udhëtarë e konsiderojnë këtë një tjetër mënyrë për t’i nxitur pasagjerët të paguajnë tarifa shtesë.
Politika e re shton pasigurinë për ata që dëshirojnë të udhëtojnë me kosto minimale, ndërsa mund të favorizojë rritjen e të ardhurave të kompanisë nga rezervimi i sediljeve.