I dënuar për trafik heroine dhe me 250 mijë paundë në foto, shqiptari i shpëton dëbimit nga Britania

I dënuar për trafik heroine dhe me…

Olsi Beheluli u dënua me 11 vite burg, pasi u kap me më shumë se 8 kilogramë heroinë të pastërtisë së lartë, me një vlerë që tejkalonte 200 mijë paund. Ai u shpall fajtor në kuadër të një hetimi të gjerë për një rrjet të trafikimit të lëndëve narkotike të kategorisë A në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, pavarësisht dënimit të rëndë, autoritetet britanike nuk kanë arritur të sigurojnë dëbimin e tij nga vendi.

Beheluli, i cili kishte mbërritur në Britani që në fëmijëri, u shpall fajtor për bashkëpunim në furnizimin dhe shpërndarjen e drogave të kategorisë A, së bashku me dy persona të tjerë. Të tre u dënuan me një total prej 31 vitesh burg.

Gjatë hetimeve, policia zbuloi dokumente identifikimi të falsifikuara, pajisje që përdoreshin për aktivitetin e narkotrafikut, si dhe 24 mijë paund në llogarinë e tij bankare.

Një nga provat më të veçanta ishte një fotografi e publikuar prej tij në internet, ku shfaqej duke pozuar pranë një shume prej 250 mijë paundësh në para të gatshme.

Gjatë marrjes në pyetje, ai pretendoi se paratë i përkisnin një të afërmi dhe se fotografia ishte realizuar në Shqipëri. Por, sipas raportimeve, hetuesit arritën të identifikonin ambientin ku ishte shkrepur fotografia, duke krahasuar tapetin e mureve dhe mobiliet me ato të një banese që Beheluli kishte marrë më parë me qira.

Më vonë, Ministria e Brendshme britanike (Home Office) dhe Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) kundërshtuan shtetësinë e tij britanike, duke argumentuar se aktiviteti kriminal binte ndesh me deklarimet që ai kishte bërë gjatë procesit të aplikimit për natyralizim.

Megjithatë, çështja është ndërlikuar nga betejat ligjore. Gjykatësit kanë vlerësuar se disa prej pretendimeve ndaj tij nuk mund të provoheshin mbi bazën e provave të disponueshme.

Si rezultat, është urdhëruar një seancë tjetër gjyqësore dhe Beheluli do të lejohet të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar derisa procesi ligjor të përfundojë.

Rasti ka rikthyer në vëmendje vështirësitë me të cilat përballen autoritetet britanike në përpjekjet për të dëbuar shtetas të huaj të dënuar për vepra të rënda penale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit