Pas denoncimit të publikuar nga JOQ Albania lidhur me pretendimet e punonjësve të kompanisë “Arseni” SHPK në Shkodër, e njohur për prodhimin e pijeve energjike B52, redaksia ka kontaktuar kompaninë për të marrë një qëndrim mbi shqetësimet e ngritura.
Në reagimin e saj, kompania pranon se situata aktuale nuk është perfekte dhe se përballet me problematika, ndërsa shprehet se nuk dëshiron të paraqesë një realitet ndryshe nga ai që ekziston.
Administrata e “Arseni” SHPK përmend vështirësitë ekonomike, burokracinë dhe konkurrencën në treg si disa prej faktorëve që, sipas saj, kanë ndikuar në situatën e biznesit. Megjithatë, kompania thekson se do t’u përgjigjet me përgjegjësi financiare detyrimeve ndaj punonjësve.
“Ne do t’i përgjigjemi në mënyrë korrekte dhe me përgjegjësi financiare çdo punonjësi të kompanisë, ashtu siç kemi bërë dhe kemi treguar përgjegjësi deri më sot”, thuhet në reagim.
Kompania shprehet gjithashtu se është e vetëdijshme për vështirësitë që po kalon dhe se synon të ruajë stabilitetin e aktivitetit të saj, duke respektuar bashkëpunëtorët dhe punonjësit.
Reagimi vjen pas denoncimit të një punonjësi, i cili deklaroi se një pjesë e stafit nuk është paguar prej tre muajsh dhe se punëtorët thirren në punë vetëm kur kompania ka nevojë për prodhim.
JOQ Albania e publikon qëndrimin e kompanisë në interes të transparencës dhe për të përcjellë edhe versionin e saj mbi situatën e denoncuar. Ndërkohë, mbetet e rëndësishme që detyrimet financiare ndaj punonjësve të përmbushen dhe shqetësimet e ngritura prej tyre të marrin një zgjidhje konkrete.