Edhe shqiptarët e Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut kanë festuar sot për 114 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Një kolonë kamionësh të veshur me flamuj kuqezi kanë parakaluar në rrugët e qytetit duke treguar se festimet për Shqipërinë, flamurin dhe lirinë e saj mund të jenë të të gjitha formave.
Ndërkohe atmosfera festive dhe mobilizimi qytetar kanë përfshirë edhe sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku qytetarë nga kryeqyteti dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, Diasporës dhe trevave shqiptare janë mbledhur për protestën kombëtare, e cila zhvillohet në këtë 28 Nëntor, në 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Me flamuj kuqezi në duar, ndërsa disa prej tyre janë paraqitur edhe me veshje tradicionale shqiptare, pjesëmarrësit kanë nisur të mbushin sheshin, duke i dhënë tubimit një atmosferë të veçantë, ku simbolet kombëtare ndërthuren me mesazhet politike dhe qytetare.
Në fokus të protestës janë kërkesat për largimin e kryeministrit nga detyra, krijimin e një qeverie teknike dhe garantimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.