Sot hyjnë në fuqi masat e reja anti-Covid në Greqi, kufizimet e marra nga qeveria greke kanë të bëjnë edhe me pikën doganore të Kakavijës.
Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme njoftoi se prej ditës së sotme (1 mars) deri në 15 mars, Pika kufitare e Kakavijës do të jetë e hapur nga ora 07:00 deri në orën 19:00, në vend të orës 23:00 që ishte deri tani.
Gjithashtu është vendosur që në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës të kufizohet numri i qytetarëve që do të kalojnë çdo ditë.
Kufizimet e reja për kalimin në doganën e Kakavijës:
– Pika Kufitare do të jetë e hapur nga ora 07:00 deri në orën 19:00, në vend të orës 23:00 që ishte deri tani.
– Do të kufizohet më tej numri i personave që futet çdo ditë. Nga 750 persona, do të lejohen vetëm 400.
– Ata që do të futen në Greqi do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë, nga i cili nuk do të përjashtohen edhe shoferët e kamionëve apo mauneve.
– Të gjithë ata që do të testohen pozitiv, nuk do të lejohen të hyjnë në Greqi, ndërkohë që ata që hyjnë, do t’i nënshtrohen një karantine të detyrueshme 14 ditore, nga 7 ditë që ishte deri më tani.