Një plagosje me armë zjarri ndodhi pasditen e sotme rreth orës 17:50 në qytetin e Korçës.
Përplasja nisi për motive banale dhe pas sharjeve me fjalë degjeneroi në përdorimin e armës. Për pasojë mbeti i plagosur në këmbë një 45-vjeçar me inicialet I. Q., i cili u transportua në spital jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar me urgjencë drejt vendngjarjes dhe po punojnë për kapjen e autorit i cili është larguar me shpejtësi nga vendgjarja pas plagosjes së 45-vjeçarit.
Njoftimi i plotë i policisë: Korçë/Informacion paraprak
Më datë 02.03.2021, rreth orës 17:50, në lagjen nr. 5, Korçë, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se është dëmtuar në këmbë, si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit, shtetasi I. Q., rreth 45 vjeç, banues në Korçë, i cili u dërgua në Spitalin e Korçës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për sekuestrimin e çdo prove të mundshme që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.