Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndryshuar paketën fiskale 2022 pas takimeve konsultative me shoqatat e biznesit, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë-Tiranë dhe sipërmarrës të prodhimit vendas.
Ajo është tërhequr nga vendimi për të rritur taksimin për prodhuesit e qumështit pluhur.
Ndryshimet janë reflektuar në projektligjin “Për taksat kombëtare” që vendos taksë për qumështin pluhur që përdoret për tregti në vlerën 100 lekë për kg.
Në draftin e publikuar faqen e Kuvendit të Shqipërisë është shtuar neni 4 i cili përjashton nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksës për hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Një tjetër ndryshim është edhe vendosja e taksës për pijen e homogjenizuar (barista) në vlerën 16 lekë për litër.
Vendosja e taksës kombëtare 16 lekë/litër për pijet e homogjenizuara (barista) dhe përjashtimin nga pagesa e kësaj takse të gjitha fabrikat e përpunimit të produkteve të qumështit apo edhe produktet e tjera për qumësht pluhur, krem qumështi, hirrë qumështi të cilat kanë kartat teknologjike të produktit fundor me përbërje qumësht pluhur u propozuan nga DHTIT në ndihmë të sektorit të përpunimit të qumështit pas prezantimit të paketës fiskale që me heqjen e TVSH-së 6% dhe vendosjen e taksës për qumështin pluhur penalizonte industrinë.
Kryetari i Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë (DHTIT), Nikolin Jaka pohoi për Monitor se ndryshimet e miratuara nga Ministria e Financave ndihmojnë prodhimin vendas. “Ndryshimet në draftin “Për taksat kombëtare” vijnë pas debatit të shoqatave të biznesit, Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë dhe përfaqësues të industrive me Ministrinë e Financave për paketën fiskale 2022. Ndryshimet e propozuara së fundmi e ndihmojnë prodhuesin vendas”.