Lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se Lulzim Bashën do ta njoftojë me një letër që Kuvendi i 11 Dhjetorit dhe Referendumi i 18 Dhjetorit e kanë shkarkuar.
“Sot komisioni i përkohshëm i drejtimit të PD-së ka vendosur të fillojë menjëherë nga puna për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit të rithemelimit të PD-së. Gjerë më datë 22 mars të gjitha strukturat e kësaj partie duhet të shndërrohen në struktura të anëtarëve të PD-së të cilët do të vendosin me votën e lirë për drejtuesit e tyre, forumet e tyre.
Kjo është një punë intensive. Komisioni vendosi t’i komunikojë deputetit Lulzim Basha vendimet supreme, të anëtarësisë së PD-së në aktin më historik të lirisë sikur ishte referendumi i datës 18. Ky akt ishte shkarkimi. Akt protokollar dhe jo detyrim. Deputetit Basha do i dërgohet një shkresë ku do të njoftohet me shkrim për këtë vendim” tha ai.
Përmendim që ditën e sotme, ish-kryeministri Sali Berisha hyri me forcë në selinë blu. Grupi i udhëhequr nga ish-kreu i qeverisë Berisha, u drejtua për në selinë blu me anëtarët e komisionit të rithemelimit dhe mbështetësit.