
Skandalet me institucionet kreditore në Shqipëri vijojnë të thellohen, duke nxjerrë në pah problemin alarmant të kredive të këqija dhe mungesës së kontrollit të duhur nga autoritetet përgjegjëse. Rasti më i fundit ka përfshirë institucionin financiar “Iute Credit”, i cili është vënë në qendër të akuzave të opinionit publik për lëshimin e kredive pa verifikim dhe në kundërshtim me çdo standard sigurie financiare.
Në qytetin e Lezhës, 33-vjeçarja Donika Curri ka arritur të marrë të paktën 16 kredi në emra të qytetareve të ndryshme, pasi fillimisht i kishte mashtruar këta të fundit, duke u marrë kartat e identitetit me pretekstin se do t’i ndihmonte për të gjetur punë.
Sipas skemës së dyshuar, ajo ka aplikuar për kredi përmes aplikacionit të “Iute Credit”, ku mjafton një kartë identiteti dhe një foto e personit për të marrë shumën e parave të kërkuara. Pa kryer asnjë verifikim, kredia kalon dhe interesat financiare të kredidhënësit fillojnë t’i rëndojnë në xhep kredimarrësve, në këtë rast zonjave të mashtruara.
Donika Curri mori kredi në emër të qytetareve që u premtoi punë vlera që shkonin deri në 200 mijë lekë të reja.
Ajo që ngre shqetësim të thellë është fakti se institucionet financiare si “Iute Credit” kanë miratuar këto kredi pa bërë verifikime minimale të identitetit dhe vullnetit të aplikuesit. Kjo ka bërë që 16 familje të ngarkohen padrejtësisht me borxhe për të cilat nuk kanë pasur dijeni dhe që tani rrezikojnë ndëshkime ligjore apo përmbarimore.
Nuk përjashtohet mundësia që pjesë e skemës së mashtrimit të jenë edhe punonjës të brendshëm të “Iute Credit”, të cilët të kenë bashkëpunuar me mashtruesen Donika Curri për të marrë paratë, duke ngritur edhe më shumë dyshime mbi funksionimin dhe integritetin e këtyre kompanive.
Ky nuk është rasti i parë: një vit më parë, qytetari Pal Trashaj po nga Lezha i dha fund jetës me fostoksinë para zyrave të SPAK, pasi përmbaruesit i kishin marrë pronat, pavarësisht se ai pretendonte se kishte shlyer kredinë. Në këtë rast, institucionet kreditore të përfshira në skandal ishin “Micro Credit Albania” dhe “FINAL”.
Rastet e tilla tregojnë qartë për dështimin e Bankës së Shqipërisë për të ndaluar abuzimet e institucioneve të mikrokredisë. Mungesa e monitorimit dhe e ndërhyrjeve të forta ka sjellë pasoja të rënda për qytetarët, shumë prej të cilëve gjenden sot në borxhe të pamerituara dhe në stres të vazhdueshëm ekonomik.
Një reformim i thellë në sektorin e mikrokredive duket diçka e domosdoshme në Shqipëri, për të ngritur mekanizma kontrolli që do të garantojnë mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet e kësaj natyre, të cilat sikurse e përmendëm më sipër kanë shkaktuar dhe drama familjare.