A do të bëhet Fatos Nano president?

A do të bëhet Fatos Nano president?

Nga Edi Oga ekskluzivisht për Newsbomb.al.

Po, ka shumë gjasa që Fatos Nano të jetë President i Shqiptarëve pas 24 Korrik 2022 ose edhe më parë! Kushti i vetëm që ai të mbërrijë në karrigen më të lartë të shtetit është që Rilindja, fëmija bastard i “krijesës së të tij”, Partisë Socialiste, të fitojë zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit!

Fatos Nano e di mirë këtë dhe prandaj ka filluar që tani fushatën. Ajo shkon paralel me fushatën e Partisë Socialiste dhe përfundon egzaktësisht në një ditë me të. Pas fitores (eventuale) të një mandati të tretë rresht qeverisës të Edi Ramës, Nanos nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të kurojë pa shumë mundim imazhin e tij në të dy komponentët, pamjen e jashtme dhe perceptimin e tij në publik!

Përsa i përket pamjes së jashtme, i duhet të vazhdojë pandërprerje bojatisjen “rinuese” të leshrave të kokës dhe mundësisht të rrëzojë nja 15 – 20 kilogramë nga pesha.

Përsa i përket të dytës, i mjaftojnë dy-tre dalje publike në studiot më të ndjekura televizive me rrëfime katarktiko-romantike si ajo e javës së shkuar. Për më tepër, servisin e plotë do t’ia bëjë pushteti aktual, pra Edi Rama, për të dyja arsyet:

E para – Ia ka borxh! Tashmë e kanë kuptuar edhe më të pamundurit mendërisht se partia socialiste atij i është dhuruar (për disa, i është shitur) nga ish-kryetari historik Nano!

E dyta – I interson! Në përpjekjet e tij për të kapur çdo pushtet në funksion të sundimit totalitarian jetëgjatë, Nano jep garancitë maksimale të një presidenti luajal. Sigurisht që kjo vjen me një kosto të madhe ekonomike, sepse dihet nga të gjithë që Fatosi e ka dorën e rëndë, siç dihet gjithashtu që paratë nuk janë problem për paguesin, në një rast të tillë. Në krahasim me Ilir Metën, Nano është investim me fund të ditur, pa të papritura, pasi ai nuk ka ambicje të përtejme dhe nuk kërkon më pushtet egzekutiv! Kujtoni shprehjen e Ramës, “Çfarë do më Ilir Meta kur i ka pasur të gjitha”! Në dëshirat e tij maksimale, Ilir Meta kërkon drejtpërejt atributet e Ramës; partinë socialiste dhe kryeministrin!

Fatos Nano do të ishte Presidenti perfekt për Edi Ramën në kaluç të mandatit të tretë dhe të katërt!

Nga e Enjtja e kaluar e më tutje, shqiptarët duhet të bëjnë llogartitë jo më vetëm me Rama kryeministër, por me paketën Rama – Nano!

Analistët politikë e interpretojnë këtë lëvizje sipas shkallës relative të objektivitet të tyre të diktuar nga interesat e forcave politike ku janë “atashuar”!

Përkrahësit e Partisë Demokratike mendojnë se kjo lëvizje është në favor të tyre në pikëpamjen elektorale, sepse është pasqyrë e shndritshme e krizës së rëndë të pushtetit aktual dhe përkjeje për të dalë nga kjo krizë me pazare dhe pazarxhinj të njohur!

Përkrahësit e LSI-së janë të tërbuar nga kjo aleancë “e beftë” e dy antilësëistave më të tërbuar të nivelit të lartë, që synim kanë shkrirjen përfundimtare të forcës në fjalë!

Përkrahësit e Partisë Socialiste janë të ndarë në skalione të ndryshme mendimi, por sigurisht, nuk mund të shprehen “për nusen” kaq pak javë para dasme! Kujt ia mban!

Ata thjesht shpresojnë që në të gjitha rastet, kjo “martesë”, në një formë apo në një tjetër të dërgojë ndonjë rrëke uji në mullirin e tyre personal!

Nuk duhet të harrojmë! Në 25 Prill jemi thirrur të votojmë për të ndalur Ramën të paktën për katër vjet, ose për të konfirmuar “paketën” Rama-Nano edhe për një dekadë tjetër të gjatë!

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit