'A doni më për Belulin?'/ Ndahet nga jeta legjenda e humorit fierak, Fuat Boçi, themeloi Estradën e Fierit

‘A doni më për Belulin?’/ Ndahet nga…

Humori dhe arti shqiptar dhe ai fierak në veçanti, sot janë në zi. Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, aktori i humorit Fuat Boçi.

Ai ka pasur shumë role në teatër, kinema dhe estradë, por u bë i njohur për të gjithë dhe hyri në historinë e humorit shqiptar, me rolin që spikati, atë të “Selaudinit”.

Ky rol ishte pjesë e skeçit me batutën tashmë të famshme “A doni më për Belulin?!”, e kthyer për shumë në proverb.

Aktori i estradës së Fierit, Fuat Boçi, para pak muajsh, më 4 mars 2020,  festoi 89 vjetorin e lindjes së tij!

Fuat Boçi lindi në Voshtinë (Pogoniani) të Greqisë më 4 mars 1931. Me 1938, familja e tij u shpërngul në Fier, Shqipëri. Mbeti jetim që në moshën 15 vjeçare.

Punoi fillimisht si portier dhe më pas kinomekanik në kinemanë e qytetit.

Spikati për talentin e tij si aktor komik dhe si këngëtar në vitet e ushtrisë (1951-1953).

Pasi kreu shërbimin ushtarak punoi si drejtues i qendrës së zërit (e quajtur ndryshe Radio-Lokale).

Këtu iu dhanë edhe shanset për t’u aktivizuar në shfaqje të ndryshme teatrore.

Është aktor themelues i Estradës së Fierit, më 1957.

Në vitin 1965, vijoi studimet në liceun artistik “Jordan Misja”, pa shkëputje nga puna.

Boçi ka marrë pjesë në rreth 160 premiera duke luajtur mbi 600 role.

Krahas varietesë, ka luajtur shumë role edhe në pjesë për fëmijë, sikurse në teatrin e kukullave të qytetit.

U bë thuajse proverbial me “Belulin” te monologu “A doni më për Belulin?”, nivel të cilin e arriti edhe me rolin e “Lipe Shtogut” te skeçi, “Lipja prapa liste” e Pëllumb Kullës.

Boçi mbetet i dashur për publikun edhe në rolet e “Zenelit” te komedia “Pas vdekjes” e Çajupit, “Sotiri” tek komedia “Një budalla e gjysmë”.

Fuat Boçi mban titullin “Qytetar Nderi i Fierit” dhe “Artist i merituar”. Ai përcillet sot për në banesën e fundit, në orën 12:00 në qytetin e fierit.

Aktori jetonte në lagjen 28 nëntori të qytetit të Fierit, bashkë me dy vajzat e tij Teuta dhe Djana, pasi bashkëshortja i ishte ndarë nga jeta vite më parë.

Por ai ishte i rrethuar nga dashuria, dashamirësia dhe respekti i mijëra shqiptarëve që e kanë ndjekur dhe shoqëruar me të qeshura, interpretimin e tij brilant. 

Boçi edhe pse në moshë të thyer nuk i humbi humorin dhe kontaktin me njerëzit.

Që prej më shumë se dy dekadash, kur bashkëshortja e tij ndërroi jetë, gjithkush e di Fuat Boçin që me humor u thotë ne kafene miqve të afërt se “unë jam dhe burrë, dhe grua”.

Fuat Boçi mbetet një nga emblemat e qytetit të Fierit, dhe jo vetëm në fushën e skenës, artit dhe kulturës!

Ai ka mbetur tashmë  në historinë e humorit shqiptar.

[ngg src=”galleries” ids=”202″ display=”basic_imagebrowser”]/Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit