Biznesmeni Irfan Hysenbelliu pronar i “Focus Media Grup”, që përfshin disa media ku punojnë gazetarë të keqpaguar dhe me vonesa në pagat e tyre, thotë se është kërcënuar me jetë.
Lajmin e kanë bërë publik vetë mediat e tij, të cilat tregojnë se Irfani dhe familjarët e tij janë gjendur përballë kërcënimeve, të cilat sipas tyre vijnë nga personazhe që më herët janë denoncuar në emisione investigative të “News 24”.
“Botuesi i News24 dhe Panorama Grup së bashku me familjarë të tij, janë kërcënuar me jetë nga një prej personazheve të denoncuar më herët për afera të dyshuara korruptive nga emisionet investigative në News24”, thonë mediat e Hysenbelliut.
Po sipas të njëjtave burime, personazhi që e ka kërcënuar Irfanin thuhet se ka lidhje të ngushta me nivele të larta qeverisëse.
Nga një vëzhgim i thjeshtë në rrjetet sociale, emisionet e televizionit të Irfanit nuk është se kanë një të shkuar të ndritur në denoncimin e aferave korruptive dhe tenderave të dyshimtë. Megjithatë një nga personazhet me lidhje të forta në qeveri, që dyshohet se mund të jetë autore e kërcënimeve, është Belinda Balluku.
Ende nuk ka një konfirmim nga ana e Irfanit për këtë gjë, duke ngritur dyshime nëse kërcënimet janë diçka reale, apo po krijohen vetëm për zhurmë.