
Sot është 5 Maji. Varrezat e Dëshmorëve janë më të gjalla se kurrë, por jo nga zëri i të rënëve. Janë të mbushura me lule, flamuj, fjalime të gatshme dhe ca fjalë të njoma në Facebook, që i gëzohen më shumë “like”-ut se kujtimit. Sot, për një ditë të vetme, të rënët janë të “gjallë”. Nesër, gjithçka do të kthehet në normalitet.
Qindra e mijëra shqiptarë, gra e burra, të rinj e të reja, dhanë jetën për një ëndërr të përbashkët një Shqipëri të lirë, një gjuhë që nuk tretet, një identitet që nuk tjetërsohet. Ata luftuan me armë, me penë, me zë dhe me zemër. Poetët mbrojtën gjuhën me vargje, nënat me lot, e burrat me pushkë. Sot, shumë prej tyre prehen në heshtje, ndërsa ne bërtasim në emër të tyre por jo për ta.
Shqipëria që ata ëndërruan ishte një vend i bashkuar, i ndershëm, i drejtë. Por Shqipëria që kemi ndërtuar mbi gjakun e tyre është një vend ku vritemi për një “Pse m’sheh?”, ku shiten diploma, blehen vota, të rinjtë largohen, djali vret nënën, babai përdhunon vajzën dhe kujtesa kombëtare është kthyer në dekor për fushata politike.
Gjuha shqipe, për të cilën Luarasi dhe shumë të tjerë sakrifikuan gjithçka, sot po zëvendësohet nga një anglishte e sakatuar, ku “ok”, “sorry” dhe “like” janë bërë pjesë e lutjes së përditshme. Në shkolla mësohet anglishtja me krenari, shqipja me bezdi.
A është kjo Shqipëria që ëndërroi Avni Rustemi, që mbrojti me fjalë dhe vepra Vasil Shanto? A është ky vendi që deshi Naimi, që mendoj për të ardhmen me penën e tij të pastër? A është kjo Shqipëria për të cilën u shuan në malet e Mirditës 5 Heronjtë e Vigut?
Përgjigjja është e dhimbshme, por e thjeshtë jo.
Ata që dhanë jetën për Shqipërinë, sot ndoshta do të donin të mos e njihnin atë. Por edhe në këtë zymtësi, ka një rreze shprese. Është tek ata pak që ende flasin për këtë ditë me dhembje e jo me krenari boshe. Tek ata që mbrojnë gjuhën jo se është në modë, por se është gjak. Tek ata që vendosin një lule, jo për fotografi, por për respekt.