Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë po përballet me një rikthim të trendit rënës të kërkesës për blerje apartamentesh. Agjentët imobiliarë bëjnë me dije se ky ngadalësim po nxitet nga dy faktorë kryesorë: nga njëra anë, goditja e parasë informale nga hetimet e SPAK, dhe nga ana tjetër, papërballueshmëria e çmimeve për familjet që kërkojnë të zgjidhin nevojat e strehimit.
Agjentët e tregut konfirmojnë se rënia e blerjeve është vrenjtur si te kategoria e blerësve me burime joformale, ashtu edhe te kërkesa reale e popullsisë.
Intensifikimi i hetimeve nga SPAK, shoqëruar me sekuestrimet e njëpasnjëshme të pasurive të paluajtshme në pronësi të grupeve kriminale, mendohet se ka frenuar ndjeshëm investimet e këtyre të fundit. Po ashtu, një rënie e dukshme e kërkesës vërehet edhe nga radhët e punonjësve të administratës publike që përdornin burime informale për blerjen e pronave.
Nga ana tjetër, kërkesa nga familjet e reja, ata që kërkojnë zgjerim të hapësirave të banimit apo bizneset që synojnë investime, mbetet e kufizuar nga hendeku i madh mes të ardhurave familjare dhe çmimeve të larta në treg. Situata përkeqësohet nga mungesa e ofertës për prona në fashën deri në 200 mijë euro, çka pamundëson hyrjen në treg të blerësve për qëllime banimi.
Ngadalësimi i kërkesës raportohet se ka filluar të reflektohet edhe në çmimet përfundimtare të shitjes. Disa agjenci imobiliare kanë filluar të ofrojnë njësi në kullat e kryeqytetit me çmime promocionale, dukshëm më të ulëta se pritshmëritë fillestare të shitësve. Për shembull, në objekte ku çmimet e zakonshme luhaten mes 4,000 dhe 4,500 euro/m², apo në tregje ku ato i kalojnë 5,000 euro/m², disa apartamente po ofrohen rreth fashës 3,700–3,800 euro/m².
Sipas të dhënave më të fundit të indekseve të tregut, çmimi mesatar i apartamenteve në Tiranë nga mesi i vitit 2025 deri në mes të vitit 2026 vijon të qëndrojë mbi kufirin e 2,000 eurove për metër katror. Sidoqoftë, në krahasim me tremujorin e mëparshëm, deri në muajin qershor 2026 çmimi mesatar pësoi një ulje prej 1.2%, duke arritur në 2,116 euro/m².
Rënie më e ndjeshme është shënuar te çmimi median, i cili ra me 3%, nga 2,046 euro/m² në 1,982 euro/m².
Përveç veprimeve ligjore ndaj parasë informale, një faktor tjetër kyç në zbutjen e çmimeve cilësohet hyrja në fuqi e procesit të rivlerësimit të pronave në shkurt të vitit 2026.
Ulja e tatimit mbi fitimin nga shitja e pronës nga 15% në 5% u ka dhënë shitësve më shumë hapësirë për negociata. Ekspertët e tregut vlerësojnë se kjo ulje e kostos fiskale ka mundësuar uljen e çmimeve reale të shitjes me rreth 3–4% për pronarët që kishin nevojë për likuiditet të shpejtë, duke ndikuar kështu në një korrektim të përgjithshëm të çmimeve në tregun imobiliar të kryeqytetit.