
Ngjarja e djeshme, që tronditi zonën elektorale të Vin Hoxhës, nuk është thjesht një episod dhune i zakonshëm. Ajo ngjan më tepër me një skenë të montuar keq, ku protagonistët janë në skenë, por mungon gjysma e kastit. Dhuna ndodhi, autorët u identifikuan, por viktima… askund.
Në njoftimin zyrtar të policisë përmendet emri i dhunuesit, por jo ai i të dhunuarit. Asnjë referencë, asnjë detaj, sikur goditjet të ishin lëshuar në ajër. Kjo zbrazëti në informacion është më shumë se një lëshim është një heshtje që flet shumë.
Ajo që bie në sy në këtë histori është ‘efikasiteti’ i policisë. Autorët u zbuluan në kohë rekord, por njëkohësisht është bërë një përpjekje e dukshme për të mos zbardhur identitetin e palës tjetër të përfshirë.
Siç dimë tashmë sherri ka nisur në ambientet e një lokali jashtë zyrave elektorale të PSD, viktima ende i paidentifikuar ka hyrë në zyrat e PSD ndërsa Lorenc Telhallari njëri nga dhunuesit është larguar nga vend ngjarja duke kërkuar ndihmë nga i ati Arjan Telhallari dhe së bashku janë kthyer në ambientet ku ndodhej viktima e theksojmë i paidentifikuar. Arjan Telhallari ka pasur me vete një armë tip ‘Scorpion’ e cila fatmirësisht nuk është përdorur.
Çfarë fshihet pas kësaj përzgjedhjeje? A kemi të bëjmë me një rast të mbrojtjes së “të njohurve të shtëpisë”? Apo mos ndoshta dhunuesi është vetëm një pjesë e mozaikut dhe viktima është një figurë që s’duhet lakuar?
Pyetjet janë të shumta, por njëra ngrihet mbi të gjitha me kë janë përplasur babë e birë? Sepse një gjë është e sigurt me njëri-tjetrin nuk janë rrahur. Çfarë po kurdis policia e “bukuroshit të fjetur” Proda këtë herë?