Abuzimet/ CRCA propozime për Kodin Penal: Dënime më të rrepta për grabitqarët seksualë

Abuzimet/ CRCA propozime për Kodin Penal: Dënime…

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA/ECPAT, dorëzoi pranë Komisionit të Ligjeve, Aleancës së Grave Deputete në Kuvendit të Shqipërisë, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë, propozimet e saj për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal në Shqipëri.

Propozimet vijnë në një kohë kur Shqipëria është përfshirë nga një skandal i madh ku një vajzë denoncoi dhunën dhe shfrytëzimin seksual nga roja i shkollës në një zonë të Tiranës. Kjo është hera e katërt që CRCA i kërkon Kuvendit të miratojë shtesa e ndryshime në Kodin Penal mbi krimet seksuale ndaj fëmijëve.

Propozimet kërkojnë të përforcojnë përkufizimet, zbatimin dhe dënimet e disa veprave penale, të cilat sjellin pasoja të rënda mbi jetën, dinjitetin dhe mirëqenien fizike dhe emocionale të viktimave.

“Ngjarja e fundit e dhunës seksuale ndaj një të miture, edhe një herë tregoi nevojën për ndryshime dhe përmirësime në Kodin Penal, të cilat ne i kemi kërkuar dhe propozuar tashmë prej vitesh”, tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.

Këto propozime përfshijnë edhe shtimin e disa neneve të reja dhe dënimin si vepër penale për personat që shtyjnë, nxisin, mashtrojnë e manipulojnë fëmijën për të kryer marrëdhënie seksuale, komunikimin me fëmijën për qëllime seksuale etj.

Në propozimet e bëra kërkohet edhe krijimi i Regjistrit Kombëtar për Krimet Seksuale, i cili ka si qëllim të parandalojë takimet midis grabitqarëve seksuale dhe fëmijëve apo zbatimi i legjislacionit të BE-së në Shqipëri, të Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF) të OKB-së etj.

CRCA thekson se këto propozime janë në përputhje të normave dhe standarteve të legjislacionit të Këshillit të Europës (Konventa e të Drejtave të Njeriut) dhe në mënyrë të vecantë të Konventës së Lanzarote të KE-së, të ratifikuar nga Shqipëria./ CNA.al

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit